Parashikimet në teknologji, mjedis dhe mjekësi për vitin 2011
SHBA, 2 janar - Viti 2010 ishte i mbushur me katastrofa natyrore, një krizë ekonomike dhe arritje në teknologjinë mjekësore. Çfarë domethënieje kanë këto ngjarje për të ardhmen?
Një organizatë e quajtur Shoqëria e të Ardhmes së Botës i hedh një vështrim asaj që mund të ndodhë dhe paralajmëron mbi mundësinë e problemeve globale në parashikimin e saj të përvitshëm.
Tim Mack kryeson Shoqërinë e të Ardhmes së Botës, një organizatë që publikon një parashikim të përvitshëm se si ekonomia, teknologjia dhe shoqëria do ta ndryshojnë botën. Ai thotë se një nga arritjet më të mëdha në parashikimin e këtij viti do të jetë në mjekësi.
\"Jam habitur nga arritjet e jashtëzakonshme në teknologjinë mjekësore.
Zoti Mack thotë se fusha e nano-teknologjisë, bio-teknologjisë dhe teknologjisë informative po bashkëpunojnë dhe po krijojnë mënyra të reja për të ndihmuar pacientët.
\"Mënyra të reja mjekimi, mënyra të reja diagnostikimi dhe trajtimi pa ndërhyrje kirurgjikale.
Mack thotë se arritjet në fushën robotike do të çojnë drejt një të ardhmeje ku për pacientët me të meta fizike do të kujdesen infermiere robote që aktivizohen përmes zërit.
Për sa i përket mjedisit, Mack parashikon që problemet e shkaktuara nga ndryshimi i klimës do të vazhdojnë të shtohen deri sa të ketë përpjekje globale për ta ndryshuar këtë prirje.
\"Në disa aspekte ne as që e kuptojmë ndryshimin e klimës, për shembull oqeanet, dhe jo vetëm rrymat në oqeane, por se si ndryshimi i temperatures se oqeanit do të ndikonte tek strukturat biologjike dhe mjedisore\".
Një nga kontribuesit më të mëdhenj të problemeve botërore të mjedisit është Kina, thotë ai.
\"Mungesa e tyre e përkushtimit ndaj mjedisit, dhe fakti që vazhdojnë të përdorin qymyrgur për prodhimin e energjisë elektrike po shkaktojnë ndotje që po përhapen në të gjithë globin\".
Megjithatë, Mack thotë se ka një prirje pozitive që vërehet tek brezi i ri i kinezëve, të cilët po përpiqen ta ndryshojnë politikën ambjentaliste të vendit të tyre.
Për sa i përket ekonomisë, Mack thotë se edhe pse kriza ekonomike në Shtetet e Bashkuara e ka ndryshuar mënyrën si bëhet biznesi, e ardhmja është përsëri e pasigurt.
\"Ne nuk e dimë se çfarë do të gjejmë kur të përfundojë recesioni, meqenëse janë bërë kaq shumë ndryshime në sistemin ekonomik\".
Kompanitë kanë filluar ti heqin përfitimet e pensionit dhe kujdesit shëndetësor, dhe Mack thotë se nuk është e qartë nëse këto përfitime do të kthehen përsëri.