25 Dhjetor 2024

OSBE e trajnon policinë në hetimin e krimeve përmes internetit

Prishtinë, 26 prill - Një trajnim i OSBE-së i organizuar për 15 hetues të policisë së Kosovës me temë hetimin e krimeve që kryhen në ose përmes internetit përfundon sot.

Në trajnim kanë marrë pjesë përfaqësues të drejtorive kundër krimit të organizuar, kundër terrorizmit, për inteligjencë dhe analizë, kundër krimeve ekonomike, krimit kibernetik, dhe për teknologji informative në polici.

Diskutime u përqendruan në mënyrat e përdorimit të teknologjisë në luftën kundër krimit të organizuar, trafikantëve të drogës, grupeve terroriste dhe krimeve të teknologjisë së lartë. 

“Me rritjen e komunikimit në internet dhe atij mobil, grupet e organizuara kriminale po rrjetëzohen gjithnjë e më shumë në strukturën e tyre dhe po marrin karakter ndërkombëtar,” tha Ibrahim Gultekin, Shef i Njësisë së OSBE-së Kundër Krimit të Organizuar.

“Me shumë pak burime në dispozicion, një individ i vetëm diku mund t’iu shkaktojë dëme kompanive dhe qeverive në vende të largëta. Ky trend ka shumë gjasë të rritet dhe ky trajnim ka për qëllim që të ndihmojë policinë që të përballet me krimet në internet,” shtoi ai.

Misioni i OSBE-së ka ofruar disa trajnime për policinë në luftimin e krimeve kibernetike që nga viti 2009 dhe me rekomandim të saj, në vitin 2011, policia ka themeluar njësinë për krime kibernetike. 

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka në mandat të tij zhvillimin e sigurisë publike. Në mënyrë që të ndihmojë në forcimin e këtij sektori, Misioni zhvillon dhe ofron trajnime të avancuara dhe të specializuara për agjencitë e zbatimit të rendit dhe ligjit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)