Obama nxjerr urdhër ekzekutiv për sigurinë në internet
Washington, 14 shkurt - Presidenti Barak Obama do të nënshkruajë sot një urdhër ekzekutiv që synon të nxisë kompanitë dhe organizatat të shkëmbejnë me qeverinë dhe me njëra-tjetrën informata mbi kërcënimet kibernetike.
Zoti Obama do ta nënshkruajë urdhrin në një konferencë të organizuar nga Shtëpia e Bardhë mbi sigurinë kibernentike dhe mbrojtjen e konsumatorëve në Universitetin Stanford në Kaliforni.
Në prezantimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se takimi “organizohet në një moment kritik” kur kërcënimet kibernetike po bëhen “më të pranishme, më akute dhe më shkatërrimtare”.
Shtëpia e Bardhë thotë se urdhëri ekzekutiv ofron një kornizë për punën “në mbrojtje të privacisë dhe lirive civile” megjithëse kërkon heqjen e barrierave ndarëse mes qeverisë dhe sektorit privat.
Urdhëri udhëzon Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të financuar një organizatë që do të hartojë standardet për shkëmbimin mbi baza vullnetare të informacionit që kanë organizata dhe kompani private.