Një nga kompjuterat e parë Apple del në ankand
San Francisco, 27 qershor - Një nga kompjuterat e parë Apple, prodhim i vitit 1976, pararendës i kompjuterëve të sotme më të sofistikuara të firmës, si MacBooks, I-Pads dhe Iphoni, del në ankand javën e ardhshme në firmën Christie.
Arkitektët e kompjuterit Apple 1, ishin Steve Jobs dhe Steve Wozniak, të cilët e kishin braktisuar që të dy shkollën në atë kohë dhe u morën me shpikjen e tyre, që do të sillte një revolucion në teknologji.
Shifra fillestare e ofertës është 300 mijë dollarë, por pritet që ajo ta kalojë gjysëm milionshin. Personat që do të paraqiten në ankand, i cili zhvillohet on line, kanë të drejtën ti paraqesin ofertat e tyre deri më 9 korrik.
Një tjetër kompjuter Apple 1 u shit muajin e kaluar me shirën rekord të 671 mijë e 400 dollarëve në një ankand në Gjermani.
Kompjuteri Apple 1 ndodhet i ekspozuar në Muzeun e Historisë së Kompjuterave, pranë San Franciscos.