New York Times sulmohet nga piratët komjuterikë
New York, 29 gusht - Faqja e internetit e gazetës the New York Times është sulmuar nga piratët komjuterikë për herë të dytë brenda këtij muaji, duke ndërprerë shpërndarjen e informacionit për disa orë dje.
Shefi i teknologjisë i gazetës, Marc Frons nxorri një deklaratë ku thoshte se shërbimi ishte ndërprerë nga një sulm i jashtëm i Ushtrisë Elektronike Siriane, ose ndonjë grup që e kishte paraqitur veten si ajo organizatë.
Ushtria Elektronike Siriane është një grup në internet që mbështet Presidentin Sirian Bashar al-Assad.
Në fillim të këtij muaji, Ushtria Elektronike Siriane mori përgjegjësinë për sulme kibernetike ndaj gazetave the New York Times dhe the Washington Post përmes një grupi të tretë. Po ashtu është përpjekur të bëjë sulme kibernetike ndaj CNN-it dhe gazetës the Financial Times.
Dje, the New York Times i botoi disa nga artikujt përmes faqes së saj në Facebook dhe i mbajti të informuar lexuesit përmes blogëve.