NASA zbulon dhe dy planetë të tjera jashtë sistemit diellor
Florida, 22 qershor - Astronomët amerikanë, zbuluan dy planetë të tjerë jashtë sistemit tonë diellor. Orbita që ato kanë rreth diellit të tyre, ndodhen shumë pranë me njëra-tjetrën, një fenomen të cilin shkencëtarët e ndeshin për herë të parë.
Imagjinoni një hënë të plotë, që sapo lind në horizont. Këtu kemi të bëjmë me një planet gazrash gjigand, i cili duket tri herë më i madh, shpjegojnë shkencëtarët, puna e të cilëve publikohet në revistën shkencore Science.
Kjo pjesë e kozmosit ekziston dhe është një sistem yjesh me dy yje (diej) në plejadën e Mjellmës, rreth 1.200 vite dritë larg tokës (një vit dritë është i barabartë me 9460 miliardë kilometra).
Sistemi i ri, citon alb-observer.com, me dy planetët e rinj të zbuluar aty, është pagëzuar Keppler-36, nga vetë sateliti i NASA-s që kooperon në hapësirë për zbulimin e planetëve të rinj.
Këta dy planetë kalojnë shumë pranë njëri-tjetrit, deklaroi Josh Carter i Harvard Smithsonian Center for Astrophysics (CfA), njëri nga krerët kryesorë të këtij zbulimi dhe përgjegjës i raportit përfundimtar.
Janë planetët më të afërt që kemi parë ndonjëherë deri më sot, në një sistem diellor, shton shkencëtari i famshëm Eric Agkol i Universitetit të Uashingtonit.
Në çdo 97 ditë kur ata plotësojnë ciklin rrotullues të tyre, gjenden shumë afër me njëri-tjetrin.
Në vazhdim ndahen nga një distancë 5 herë më të vogël sa është ajo midis tokës dhe hënës, pra rreth 1,9 milion kilometra.
Zbulimi i dy planetëve u mundësua falë analizimit të të dhënave të ardhura nga teleskopi Keppler, i cili mund të zbulojë një planet jashtë sistemit tonë diellor, pikërisht në momentin kur ai kalon para yllit të tij, duke dobësuar rrezatimin e tij.
Shkencëtarët e NASA-s, theksojnë se sistemi i ri i zbuluar nga Keppler, është me dy planetët e rinj me orbitë rreth një ylli i cili i ngjan diellit tonë, por është më i vjetër se ai i yni me diferencë disa dhjetëra miliardë vjet drite.