NASA shtyn fluturimin në hapësirë deri më 29 prill
Florida, 5 prill - Agjencia amerikane e hapësirës, NASA shtyu fluturimin e ardhshëm në hapësirë deri më 29 prill për shkak të një përplasjeje me planet e Rusisë për të dërguar një anije me furnizime në Stacionin ndërkombëtar të Hapësirës.
Anija e hapësirës Endeavour, e cila do të kryejë misionin e saj të fundit, ishte fillimisht në plan të nisej më 19 prill.
NASA e njoftoi shtyrjen sot, pas këshillimeve me homologët rusë dhe kolegë të tjerë në stacionin e hapësirës. Rusia nuk donte të shtynte fluturimin e anijes së saj, në bordin e së cilës do të jetë një eksperiment biologjik.
Misioni i 29 prillit i anijes Endeavour do të kryesohet nga Mark Kelly, bashkëshorti i anëtares së Kongresit nga Arizona, Gabrielle Giffords, e cila u plagos në kokë gjatë një mitingu me elektoratin në fillim të janarit.
Gjatë misionit, zoti Kelly dhe ekipi i tij do të çojnë në hapësirë pajisje të nevojshme për funksionimin e Stacionit Ndërkombërtar të Hapësirës.
Endeavour është anije më e re në programin e hapësirës. Ajo zëvëndësoi anijen Challenger, e cila shpërtheu pak pas nisjes në janar të vitit 1986. Shtetet e Bashkuara do ti japin fund këtë vit programit të fluturimeve në hapësirë me misionin e anijes Atlantis, në plan për të shkuar në hapësirë këtë verë.