NASA dërgon në Mars robotin e misionit "InSight"
Florida, 26 nëntor - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po dërgojnë një robot tre këmbësh me një krah lëvizës në sipërfaqen e Marsit. Roboti pritet të zbresë në Planetin e Kuq të hënën.
Ai do të jetë në gjendje të gërmojë në një thellësi prej pesë metrash nën sipërfaqen e Marsit dhe do të dërgojë të dhëna për studime të mëtejshme nga shkencëtarët e Agjencisë Kombëtare të Hapësirës dhe Aeronautikës, NASA:
Ky do të jetë një hap i madh në misionin “InSight” të NASA-s, i cili kushton rreth 1 miliard dollarë.
"Ne kemi qenë duke udhëtuar për në Mars për rreth shtatë muaj. Kemi bërë disa prova dhe manovrime për korrigjimin e trajektores, që të arrijmë në pikën e duhur të atmosferës, në mënyrë që ulja e robotit të bëhet në vendin ku duam ne, në planetin Mars", thotë Tom Hoffman, Menaxher i Projektit të NASA-s, “InSight”.
Ulja në Mars është gjithmonë e rrezikshme, thonë shkencëtarët e NASA-s. Pjesa më e vështirë e misionit të ditës së hënë do të jetë ulja gjashtë minutëshe e automjetit që po transporton robotin.
Roboti do të gërmojë më thellë në Planetin e Kuq, sesa sondat e tjera para tij, në qoftë se shkëputja e tij nga automjeti ulës është e suksesshme.
Misioni i “InSight” në Mars mund të zgjasë të paktën dy vjet.
Të dhënat që ai do të mbledhë do të dërgohen në Tokë, ku do të studjohen nga shkencëtarët e NASA-s.
Në misionin “InSight” të NASA-s marrin pjesë edhe specialistë europianë: Gjermania është përgjegjëse për shpuesin mekanik të projektuar për të çarë pesë metra në thellësi të sipërfaqes së Marsit, për të marrë mostra dheu dhe për të matur temperaturën nëntokësore, ndërsa Franca menaxhon sizmometrin e instaluar në këmbët e robotit, që do të monitorojë tërmetet.