Mundësitë për keqpërdorim të hapësirës kibernetike po rriten
Washington, 10 shtator - Zyrtarët e sigurisë nuk druhen t’i përshkruajnë rreziqet me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara në hapësirën kibernetike.
"Mendoj se të gjithë e dime se jemi në mes të një epidemie globale në internet," paralajmëroi kryejuristi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare në një konferencë javën e kaluar.
Ndërsa Këshilltari Ligjor agjencisë, Glenn Gerstell shkoi edhe më tej.
"Mendoj se është ndoshta e drejtë të themi se gjendja do të vazhdojë të përkeqësohet. Mundësitë për keqpërdorim të hapësirës kibernetike po rriten me një ritëm të shpejtë ... Aftësitë tona për t'u mbrojtur nuk po përshpejtohen me të njëjtin ritëm", shtoi ai.
Kostoja është e konsiderueshme.
Qendra e Ankesave për Krimet e Internetit e Byrosë Federale të Hetimeve mori më shumë se 351,000 ankesa në vitin 2018, viti i fundit i plotë për të cilin janë të disponueshme të dhënat, me humbje për kompanitë dhe individët që kapin shifrën 2.7 miliardë dollarë.
Dhe zyrtarët theksojnë se bëhet fjalë vetëm për rastet për të cilat ata janë në dijeni. Shumë prej tyre nuk raportohen. Dhe ndikimi i mundshëm është i kënsiderueshëm.
Zyrtarët amerikanë e kanë përshkruar ekonominë e vendit si një "gërshetim" të sistemeve të ndryshme që janë integruar në një "strukturë të përbashkët". Por ata thonë se kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara, si Kina, shohin një rrjet objektivash të ndërlidhura, shumica e të cilave nuk janë nën kontrollin e agjencive qeveritare amerikane.
"Pjesa më e madhe e shërbimeve për të cilat ne jemi të intersuar në Shtetet e Bashkuara, gjenden tek kompanitë private”, tha Tonya Ugoretz, zëvendës ndihmës drejtore për kibernetikën, në Zyrën Federale të Hetimeve.
"Ka shumë aspekte të ekspozuara dhe mundësi për aktorët me qëllime keqdashëse, shtoi ajo, duke folur javën e kaluar në një konferencë të sigurisë. Kompleksiteti i kësaj fushe veçse është rritur”.
Megjithëse aftësia për të përdorur një telefon inteligjent për t’i folur frigoriferit, për të gjetur se çfarë të duhet të blesh në dyqanin e ushqimeve, mund të jetë një lehtësi, një gjë e tillë në të njëjtën kohë paraqet rrezikshmëri. Një kriminel që mund të depërtojë në rrjetin e internetit në shtëpi dhe në sistemin e frigoriferit, mund ta përdorë teorikisht atë informacion për të siguruar llogari bankare ose materiale të tjera të ndjeshme.
Kur ekspertët shtojnë edhe ndikimin e teknologjive të reja dhe atyre në rritje, si inteligjenca artificiale ose rrjetet 5G, shumë shohin rrezikshmëri.
Mbrojtja e numrit në rritje të objektivave që janë në shënjestër të sulmeve në internet është e vështirë, ashtu si edhe rikuperimi pas dëmeve.
Ndërsa Shtetet e Bashkiara ka shënuar disa suksese në rikuperimin e fondeve të humbura ose të vjedhura - FBI raportoi një normë rikuperimi prej rreth 75% në 2018 - dëmi nga të dhënat e vjedhura ose sekretet tregtare mund të zgjasë.
Në të njëjtën kohë, ekziston një nervozizëm në rritje, veçanërisht mes kompanive të sektorit privat të cilat mendojnë se qeveria amerikane nuk po i lejon të ndërmarrin veprime më agresive dhe mbase më efektive.
"Ata nuk po përballen thjesht me veprimtari rutinë kriminale, por shpesh me metoda të përziera, me kriminelë të lidhur me shtete të tjera të cilat po kryejnë gjithnjë e më shumë aktivitete kriminale," tha John Carlin, një ish-ndihmës Prokuror i Përgjithshëm në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, i cili tani përfaqëson kompani që janë goditur nga sulmet në internet.
"Ata as nuk lejohen të ndërmarrin hapa vetë për të frenuar sulmet që po ndodhin për shkak të implikimeve të sigurisë kombëtare, as të ndërmarrin veprime për të mbledhur informacion jashtë rrjeteve të tyre," tha ai.
"As ata nuk po marrin të dhëna shtesë zbulimi në vijën e parë yë frontit të kërcënimit, në mënyrë që të mund të ndërmarrin hapa paraprake për t’u vetëmbrojtur."
Si rezultat, po flitet vazhdimisht që kompanitë të lejohen të "kundërsulmojnë", për të gjurmuar dhe hakmarrë kundër aktorëve në internet që i kanë vënë në shënjestër.
Ka informacione se kompanitë kanë filluar ta bëjnë një gjë të tillë.
“Ka shenja që kjo po ndodh në një lloj tregu ndërkombëtar në zhvillim e sipër, për ato që mund të quheni shërbime mbrojtëse," sipas Wyatt Hoffmanit me Nismën e Polittikave Kibernetike të Fondacionit Carnegie për Paqe Ndërkombëtare.
Tani për tani, "kundërpërgjigje” të tilla nuk janë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara dhe përpjekjet e ligjvënësve për t’i legalizuar nuk kanë fituar mbështetjen e duhur në Kongres.
Zyrtarët e qeverisë amerikane gjithashtu vazhdojnë të kërkojnë që çdo kompani që dyshon se janë bërë viktima të hakerimit, të kontaktojnë organet e rendit.
"Shumica e studimeve që kam parë sugjeron se koha mesatare që duhet për të zbuluar një depërtim kibernetik është rreth gjashtë muaj, pa dyshim disa muaj," tha Zëvendës Ndihmësi i Prokurorit të Përgjithshëm Adam Hickey gjatë një diskutimi për mundësinë e kundërpërgjigjes me hakerim.
Disa kompani që prodhojnë programe kompjuterike janë bashkuar me zyrtarët e qeverisë për të paralajmëruar kompanitë që mos t'i marrin gjërat në duart e tyre.
"Thjesht nuk funksionon, thotë Rich Boscovich me njësinë e krimit dixhital të Microsoft-it, duke paralajmëruar për pasoja të padëshiruara. Rrezikshmëria është shumë e madhe. Pra kundërpërgjigjia me të njëjtën monedhë është diçka që nuk duhet bërë".