MPJ, konkurs për aplikacione mobile Best Kosova App
Prishtinë, 20 shtator - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës së bashku me sponsorët, Këshillin Britanik, IPKO Fondacionin, Ambasadën Norvegjeze, kanë shpallur konkursin për zhvilluesit e aplikacioneve në platformën Android dhe Apple, drejtuar botës së jashtme, e që ka për qëllim promovimin e Republikës së Kosovës në platformat e reja teknologjike.
Ky konkurs nacional ofron shpërblime për zhvillimin e aplikacioneve për platformat Android dhe Apple për kategoritë Lajme nga Kosova, në fushën e kulturës, trashëgimisë, traditave, në fushën e prezantimit të turizmit apo ekonomisë kosovare si dhe aplikacioni më i mirë zbavitës me temë Kosovën (lojë, kuriozitete, etj).
Fituesit e aplikacioneve më të mira, do të shpërblehen me nga 3000 euro për secilën kategori. Fituesi i aplikacionit më të mirë do të fitojë edhe pjesëmarrjen në Kongresin Botëror të telefonisë mobile në Barcelonë, ku do të mund të prezantojë para industrisë botërore app-in kosovar.
Pjesëmarrësit mund të regjistrohen edhe në APP Camp, ku do të trajnohen për zhvillim të aplikacioneve dhe të krijojnë ekipe pjesëmarrëse.
MPJ me partnerë, ftojnë dizajnerë, koderë dhe entuziastë të aplikacioneve të telefonave të mençur (smart phone) Apple dhe Android, që të marrin pjesë në garën e madhe kombëtare për aplikacionin më të mirë kosovar drejtuar botës së jashtme.
Bëje një aplikacion për vendin tënd dhe shpërblehu me 3000 Euro për secilën nga katër kategoritë, është motoja e konkursit.
Kushtrim Xhakli, koordinator i projektit dhe ekspert kosovar i teknologjisë informative thotë se kjo garë është një mënyrë e mirë e zhvillimit të tregut kosovar të aplikacioneve por edhe promovimit botëror nëpërmjet tablove dhe mobilëve, gjë që nuk është bërë më herët.
Petrit Selimi, Zëvendësministër i Jashtëm deklaroi se ky është vetëm një ndër hapat e parë në implementimin e Strategjisë Nacionale për Diplomaci Digjitale, që ka fituar përkrahje edhe nga donatorë të shumtë.
Ambasadori norvegjez, Jan Braathu ka shprehur kënaqësinë që kjo garë po fillon dhe ka thënë se Norvegjia do të vazhdojë edhe më tutje të investojë në fushën e teknologjisë, edukimit dhe diplomacisë publike përmes projekteve inovative.