Mitrovica funksionalizon E- kioskat
Mitrovicë, 27 prill - Sot para objektit të Komunës së Mitrovicës do të mbahet ceremonia e lëshimit në punë e e-kioskave.
Qytetarët e Mitrovicës, përveç certifikatave të gjendjes civile do të kenë edhe mundësinë e parashtrimit të kërkesave dhe ankesave për drejtoritë e ndryshme dhe nxjerrjen e gjendjes së tatimit në pronësi shërbim që implementohet për herë të parë në Republikën e Kosovës.
Jeton Ujkani, drejtor i Drejtorisë së Prokurimit, ka thënë se këto kioska do të jenë të vendosura në tri hapësira më të frekuentuara të qytetit të Mitrovicës, në të cilat qytetarët mund të pajisen me dokumente të gjendjes civile gjatë 24 orëve.
Një kioskë do të vendoset para ndërtesës së komunës, një në shëtitoren kryesore të qytetit përballë shtatores të Heroit Meh Uka dhe e treta në stacionin kryesor të autobusëve. Sot kemi hapur tenderin për aplikim të organizatave ekonomike të interesuara për sigurim të kioskave dhe mirëmbajtje të tyre për pesë vjet, ka thënë ai.
Ujkani ka shtuar se kioskat duhet jenë të pajisura me kamera digjitale dhe të kenë të instaluar sistemin e sigurisë maksimale për mbajtjen e të dhënave personale të qytetarëve. Ky është edhe një premtim i dhënë nga kryetari Agim Bahtiri, i cili do të jetësohet shumë shpejt, ka thënë ai.
Me realizimin e këtij projekti, thotë Ujkani, do të krijohen kushte më të mira për punë në shërbimin e gjendjes civile, pasi pritet që kërkesat e drejtpërdrejta të qytetarëve në shërbimin për dokumente të tilla, të jenë më të vogla dhe ato do të realizohen me shpejtësinë më të madhe.
Me rastin e tërheqjes së secilit dokument në e-kioskë, qytetarët duhet ta paguajnë një euro, aq sa paguajnë edhe në shërbimin përkatës në komunë.