Mijëra njerëz nga mbarë bota aplikojnë për të shkuar në Mars
Florida, 11 maj - Mijëra njerëz nga mbarë bota aplikojnë për një biletë njëdrejtimëshe për në Mars, shkruan, The Los Angeles Times.
Kompania holandeze \"Marsi One\", e cila është organizatore e këtij misioni, ka filluar të mbledhë aplikacionet edhe për astronautë.
Aplikantët duhet të prezantohen me një video material dhe vetëm për dy javë janë paraqitur më shumë se 78 mijë njerëz nga 120 vende.
Shumica janë nga SHBA-të, 17.324, e ndjekur nga Britania e Madhe, 10.241 dhe Kina 3581, pastaj një numër i konsiderueshëm i aplikacioneve nga Rusia, Meksika e Brazili, madje një edhe nga Kroacia.
Për fluturimin për në planetin e kuq, që është planifikuar për vitin 2023, është parashikuar që deri më 31 gusht të aplikojnë rreth 500 mijë njerëz.
Nuk kanë nevojë për asnjë përvojë të mëparshme në shkencat e hapësirës, astronomisë ose çfarëdo tjetër që të aplikojnë për të udhëtuar në Mars, por ata që aplikojnë nuk duhet të jenë nën 18 vjeç.
Dorëzimi i aplikacioneve kushton rreth 40 dollarë. Ideja është që të zgjidhen 28-40 kandidatët në vitin 2013 që do të shkojnë nëpër trajnime. Bileta për këtë planet është njëdrejtimëshe, nuk parashikohet kthimi në Tokë.
Megjithatë, projekti \"Marsi One\" ka shumë punë përpara në drejtim të mbledhjes së fondeve që do të financojë këtë aventurë, pasi është vlerësuar se ajo do të ketë nevojë për të paktën gjashtë miliardë dollarë.