Microsoft lanson Skype për biznese
New York, 18 mars - Microsoft ka bërë të ditur se do të zëvendësojë platformën e saj kryesore për komunikim tek bizneset, Lync, me një version të ri të Skype për biznese. Kompania ka bërë një hap të rëndësishëm në këtë drejtim, pasi prezantoi dje versionin teknik paraprak të Skype-së për biznese, i cili aktualisht është në fazën e testimit.
Shërbimi i ri në internet do të jetë i disponueshëm në të gjithë botën duke filluar nga muaji prill.
Skype për Biznese është një platformë komunikimi shumë e ngjashme me versionin për konsumatorë të Skype-së, i cili është në dispozicion në pjesën më të madhe të pajisjeve mobile dhe atyre desktop.
Me versionin e softuerit për biznese, Microsoft ka si qëllim tu ofrojë bizneseve një mënyrë më të mirë komunikimi, kështu ajo e ka integruar këtë softuer me paketën Office. Skype për Biznese do të jetë gjithashtu pjesë e Office 2016, që do të prezantohet në fund të këtij viti.
Giovanni Mezgec, menaxheri gjeneral i skuadrës përgjegjës për Skype për Biznese, ka deklaruar në një postim në blog se ky version paraprak do tu japë mundësi përdoruesve të provojnë eksperiencën e këtij shërbimi të ri të Skype përpara se ai të lëshohet masivisht muajin që vjen.
Versioni testues do të fshihet më 30 prill të 2015-ës, kështu ju keni më shumë se një muaj për të provuar këto veçori të reja.