Microsoft heq nga përdorimi aplikacionin "Paint
New York, 24 korrik - Kompania e teknologjisë dhe softuerit Microsoft, planifikon që të heq nga përdorimi aplikacionin 32 vjeçar për vizatim dhe grafikë "Paint" me përmirësimin e ri të Windows 10.
Në njoftimin e bërë në ueb faqen e Microsoft, u publikua një listë në lidhje me rindërtimin e Windows 10 që do të bëhet këtë vjeshtë. Ndër programet që do të hiqen nga përdorimi ose planifikohen të hiqen me përmirësimin e ri janë edhe aplikacionet Outlook Express dhe Paint.
Programi për postë elektronike Outlook Express gjendet në listën e programeve të cilat do të hiqen nga përdorimi, ndërsa Paint ndër ato të zhvlerësuar të cilat planifikohen të hiqen.
Microsoft versionin e parë të Paint e kishte vënë në përdorim në nëntor të vitit 1985 me sistemin operativ Windows 1.0. Me këtë aplikacion nuk kishte mundësi të punohet në imazhe në formatin JPEG deri në vitin 1998 kur u lëshua në përdorim sistemi operativ Windows 98.