Microsoft e bleu rrjetin Skype
Luxemburg, 10 maj - Gjiganti i softuerit Microsoft shpalli se e ka blerë rrjetin e telefonisë në internet Skype.
Microsoft tha se do të paguajë rreth 8.5 miliarda dollarë për kompaninë me seli në Luksemburg.
Shuma përfshin edhe borxhet që ka Skype, e cila aktualisht është pronë e kompanisë eBay dhe dy firmave tjera.
Shfrytëzuesit e Skype mund të flasin falas duke përdorur internetin.
Kompania, e cila ka më shumë se 660 milionë shfrytëzues në mbarë botën, i siguron të ardhurat nga thirrjet në telefonat celularë dhe telefonat fiksë.
Kohët e fundit ka pasur njoftime për bisedime përkatëse mes Skype dhe Google e Facebook.
Microsoft mund ta përdorë shumë mirë shërbimin e telefonisë së Skype për telefonët e tij mobilë Smartphone, të cilët kohët e fundit nuk kanë sukses në treg.
Aktualisht këto tipe telefonësh janë një biznes shumë i suksesshëm dhe Microsoft ka qenë pionier në këtë sektor.
Por kohët e fundit ai është spostuar në treg nga Apple me modelet IPhone dhe sistemi Android i Google.