Microsoft dhe Alphabet shënojnë rritje të të ardhurave
New York, 28 prill - Microsoft dhe kompania amë e Google-it, Alphabet, shënuan rritje të të ardhurave në tremujorin e parë, sipas rezultateve financiare.
Fitimet ose të ardhurat neto të Microsoft-it u rritën në 15,4 miliardë dollarë në periudhën janar-mars, duke kërcyer me 43,9 për qind nga 10,7 miliardë dollarë të regjistruar gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Të ardhurat totale u rritën me 19,1 për qind në 41,7 miliardë dollarë, nga 35 miliardë dollarë.
"Për më shumë se një vit në pandemi, lakoret e adoptimit digjital nuk po ngadalësohen. Ato po përshpejtohen dhe ky është vetëm fillimi", tha shefi ekzekutiv (CEO) i Microsoft-it, Satya Nadella, në një deklaratë të martën.
Amy Hood, nënkryetarja ekzekutive dhe zyrtarja kryesore financiare e Microsoft-it, vuri në dukje se Microsoft Cloud gjeneroi 17,7 miliard dollarë të ardhura tregtare, me 33 për qind rritje nga viti në vit.
Alphabet gjithashtu tha se shërbimi i tij Cloud, Google Cloud, kishte të ardhura prej 4 miliardë dollarësh.
Të ardhurat totale të kompanisë u rritën me 34,5 për qind në 55,3 miliardë dollarë, nga 41,1 miliardë dollarë.
Të ardhurat neto u rritën me 163 për qind në 17,9 miliardë dollarë nga 6,8 miliardë dollarë gjatë kësaj periudhe.
"Gjatë vitit të fundit, njerëzit janë drejtuar te Google Search dhe shumë shërbime në internet për të qenë të informuar, të lidhur dhe argëtuar", tha në një deklaratë Sundar Pichai, shefi ekzekutiv i Google-it dhe Alphabet-it.
Ruth Porat, shefja financiare (CFO) e Google-it dhe Alphabet-it, tha se 55,3 miliardë dollarë të ardhura "pasqyrojnë aktivitetin e rritur të konsumatorit në internet dhe rritjen e gjerë të të ardhurave nga reklamuesit".