Merr fund rrugëtimi 5 milionë vjeçar i kometës ISON
Florida, 30 nëntor - Shkencëtarët thonë se udhëtimi pesë-milionë vjeçar i kometës ISON nga skajet e largëta të sistemit diellor, siç duket ka përfunduar me një udhëtim pa kthim rreth diellit.
Astronomët thonë se kometa, me një bisht të gjatë e të ndritshëm, kaloi vetëm 1.2 milionë kilometra nga sipërfaqja e diellit dje në orën 18:37 sipas Grinuiçit. Një numër teleskopësh nuk arritën të kapin gjurmë të kometës pas atij momenti.
Në distancën më të afërt me diellin, gjatë udhëtimit me shpejtësi 350 kilometra në sekondë, kometa mund të ketë kapur temperaturën 2700 gradë celcius.
Shkencëtarët thonë se temperaturat ishin të mjaftueshme për të shkrirë akullin që përbënte trupin e kometës, si dhe pluhurin dhe shkëmbinjtë në përbërjen e saj.
Mendohet se kometa ISON përmbante mbetje të ngrira nga formimi i sistemit diellor rreth 4.5 miliardë vjet më parë.