Menaxherëve të TI-së u përgjysmohen shtesat
Burime të gazetës "Koha Ditore" nga Zyra e Kryeministrit bëjnë të ditur se i është kërkuar Ministrisë së Administratës Publike që të bëhen ndryshime sa u përket pagave shtesë për IT-të në sektorin publik.
Ky grup kuadrosh janë trajtuar si kuadër deficitar, por tani është duke u menduar se duhet të bëhen ndryshime. Edhe në fillim është menduar se duhet të ketë ndryshime sa i përket kategorizimit të kuadrit deficitar, është shprehur ky burim.
Por, Fitim Sadiku, sekretar në Ministrinë e Administratës Publike shprehet se punonjësit e IT-së edhe më tutje do të vazhdojnë të cilësohen si kuadër deficitar. Kërkesa për ekspertë të teknologjisë informative edhe më tej është mjaft e madhe. Me gjithë shtesat të cilat ua kemi mundësuar, edhe më tej ne kemi telashe, sepse po na ikin kuadrot, ka deklaruar Sadiku.
Sipas tij, shtesat në pagë për nëpunësit civil të TI janë miratuar me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 02/39 të datës 08.10.2008.
Për miratimin e shtesave ne paga për kategori të veçanta të profesioneve deficitare në të gjitha organizatat buxhetore të Republikës së Kosovës, niveli i shtesave është përcaktuar me aneksin 1, të këtij vendimi - Lista dhe titujt e punonjësve që do të jenë përfitues të masave stimulative duke përfshirë edhe shumën për këto pozita, ka thënë Sadiku. Shtesat kapin shumën nga 100 deri në 600 euro pos pagës shtesë.
Derisa në fillim, numri i përfituesve ishte 197 punonjës, sipas të dhënave nga sistemi i pagave, numri i nëpunësve civilë që janë duke përfituar shtesa në paga për kategori të veçanta të profesioneve deficitare në të gjitha organizatat buxhetore të Republikës së Kosovës është rreth 420 nëpunës civilë në tërë shërbimin civil të Kosovës në nivelin qendror dhe në nivelin lokal.
Për përfitimin e kësaj shtese në paga me vendimin dhe aneksin e lartpërmendur janë përcaktuar pozita, kriteret, niveli i përgjegjësive, institucionet përfituese dhe niveli i shtesës në pagë. Gjatë miratimit të këtyre shtesave janë respektuar kriteret e përcaktuara me Vendim të Qeverisë dhe Aneksit të bashkangjitur këtij Vendimi, ka thënë Sadiku, i cili mohon se ka pasur manipulime në procesin e kategorizimit të kuadrove deficitare. Sipas përllogaritjeve, del se për këtë kuadër shpenzohen afër 2 milionë euro në vit.
Lorik Bajrami, nga Organizata Antikorrupsion Çohu i ka thënë Kohës Ditore se është e pajustifikueshme që edhe më tej këta punonjës të cilësohen si kuadër deficitar.
Ndoshta kjo ka vlejtur më herët, por nuk mund të thuhet tani se ka kuadro deficitare në këtë fushë, është shprehur Bajrami. Sipas tij, ka raste kur në konkurset publike për këtë fushë, hapen konkurset vetëm formalisht, pasi qysh më herët angazhohen persona të cilët janë të afërt me Qeverinë. Sipas Bajramit, kjo krijon pabarazi të theksuara tek punonjësit e shërbimit civil dhe është burim pakënaqësie.
Bëhet e ditur se procesi i futjes në lista si kuadro deficitare është përcjellë me parregullsi të shumta. Kështu, disa prej tyre nuk kanë përgatitjen e duhur në fushën e teknologjisë informative, apo nuk kryejnë punë që lidhen me këtë fushë.
Po ashtu është vërejtur, që në institucione të ndryshme, punëtorët të cilët bëjnë të njëjtën punë trajtohen në mënyra të ndryshme, kur njëri përfiton nga vendimi për shtesat, kurse tjetri jo.
Manipulime janë bërë veçanërisht te kategoria e ueb-masterëve, të cilët janë trajtuar varësisht nga vullneti i mbikëqyrësve. Edhe vendimi i Qeverisë nuk është specifik kur është në pyetje përgatitja profesionale, e as përshkrimi i detyrave. Edhe në aspektin praktik, vërehet se ueb-faqet e institucioneve nuk janë të mirëmbajtura dhe të përditësuara sa duhet.
Megjithatë, zyrtarët e Qeverisë shprehen se nuk planifikojnë të heqin këtë grup punonjësish nga kategoria e kuadrove deficitare. Sipas Fitim Sadikut, mund të bëhet rishikimi i pagave të tyre, por jo të hiqen si kategori përfituese. Sipas tij, këto ndryshime pritet të bëhen në kuadër të reformimit të tërësishëm të administratës, i cili ka filluar tashmë.
Me aprovimin e Rregullores nr. 33/2012 Për shtesat në pagë dhe kompensimet tjera të nëpunësve civil e cila është aprovuar me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 04/109 datë 19.12.2012, është përcaktuar procedura dhe kriteret për miratimin e shtesës mbi pagën bazë për kushtet e tregut të punës, ka thënë Sadiku.
Sipas tij, nuk është planifikuar heqja e këtij benificioni por me Rregulloren nr. 33/2012 për shtesat në pagë dhe kompensimet e tjera të nëpunësve civil është ndryshuar procedura dhe kriteret për përfitimin e kësaj shtese për kushtet e tregut të punës.
Gjithashtu në bazë të rregullores për shtesat dhe kompensimet tjera, shtesa dhe kompensimet tjera nuk mund të kalojnë 50% e pagës bazë.
Çelik Nimani, ekspert i teknologjisë informative pranë Innovation Centre Kosova, ka thënë për Kohën Ditore se me gjithë politikat mbështetëse, kuadrot profesionale të kësaj fushe vazhdojnë të mbesin larg institucioneve, për shkakun se tregu privat vazhdon me qenë atraktiv për ta.
Në këto kushte, në qeveri ke mjaft shumë të punësuar si IT e që thjesht më shumë luajnë rolin e delegimit të punëve tek kompanitë që paguan qeveria për përkrahje sesa punën që u takon. Ne kemi nevojë të investohet në menaxherë që marrin përsipër përgjegjësi për të sjellë rezultate dhe për të reduktuar kostot, ka thënë Nimani, i cili sjell shembullin e Anglisë, ku ekspertët e IT-së janë si këshilltar të Qeverisë, e të cilët i kanë kursyer shtetit miliarda euro.
Sipas Nimanit, tek ne fillimisht duhet bërë një studim i rezultateve që kanë dhënë ky staf, e pastaj të mund të bëhet rishikimi i vendimit të mëhershëm për trajtimin e këtyre kuadrove.
Më mirë është të ketë me pak persona, por më profesionist në fushën e vet, sesa shumë e vetëm sa për sy e faqe, ka thënë Nimani. Sipas tij, një shembull tjetër i ngecjes është edhe shërbimi i e-qeverisjes, një strategji e prezantuar me aq bujë nga Qeveria e Kosovës.