Më 28 Prill shpallen fituesit e edicionit të pestë te Albanian ICT Awards
Tiranë, 18 prill - U mbajt takim i dytë dhe final i Jurisë së edicionit të pestë jubilar të Albanian ICT Awards, kur 35 kandidatë të ftuar nga juria prezantuan projektet e tyre me një objektiv të qartë: rrëmbimin e një prej tetë çmimeve të këtij viti.
Të gjendur përballë një sfide të vërtetë, ata jo vetëm demostruan projektet e tyre por detyra më e vështirë ishte mbrojtja e inovacioneve përballë një jurie me një profesionalizëm të lartë.
Juria si gjithmonë e vëmendshme ndaj detajeve, ka adresuar pyetje të ndryshme kandidatëve pretendentë për të fituar çmimet e mëdha të ICT Awards nga mbare trevat shqipfolëse.
Numri i lartë i aplikimeve në edicionin e pestë të Albanian ICT Awards prej 106, dëshmon edhe njëherë tjetër për vlerat në rritje të komunitetit TIK. Risi e këtij viti ka qenë edhe pjesëmarrja e lartë e femrave në TIK, e cila tregon se hendeku gjinor në industrinë e teknologjisë po vjen duke u ngushtuar.
Kategoria ICT Inovacioni i vitit ka qenë surpriza e këtij viti me një numër rekord aplikimesh mjaft cilësore.
Rezultatet e këtij takimi final të Jurisë që do të prodhojë listën e ngushtë të projekteve më të mira, finalistëve dhe të ftuarve në mbrëmjen jubilare Gala të Albanian ICT Awards e cila do të mbahet të Premten e datës 28 Prill 2017 pranë Sheraton Hotel Tirana.
Mbështetje financiare për Albanian ICT Awards
Pas kërkesës së shumë dashamirësve, ICTSmedia ka vendosur të hapë për publikun dy mundësi për pjesëmarrje, përmes së cilave synon rritjen e shumës së shpërblimeve për finalistët dhe për mbulimin e organizimit të mbrëmjes Gala.
Përmes blerjes së këtyre çmimeve, ju do të kontriboni drejtpërsëdrejti në rritjen e shpërblimeve ndaj finalistëve, çmimit kryesor dhe heqjes së shpenzimeve të kandidatëve të ftuar për demonstrime si dhe për heqjen e shpenzimeve të kandidatëve të ftuar nga të gjitha trevat shqiptare.
Albanian ICT Awards 5 shpalli të hapur garën më 27 Janar ku të interesuarit mund të aplikonin deri më 31 Mars përmes www.ictawards.org në tetë kategori: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje i Vitit, ICT Shërbimi Publik i Vitit, ICT Akademiku i Vitit, Femra në ICT dhe çmimi i ri ICT Siguria Kibernetike.
Me mbështetjen tradicionale të Fondacionit Dritan Hoxha, Bankës Raiffeisen dhe Albsoft, gara mbarëkombëtare e shpërblimeve në fushën e teknologjisë së informacionit po i afrohet fundit për këtë vit.
U mbajtën 20 takime me të rinj, studentë, profesorë, dhe të pasionuar në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Tetovë, Shkodër, Preshevë dhe Gjakovë.
Më 1 Prill u mblodh për herë të parë juria e këtij edicioni e cila do të drejtohet nga Mirlinda Karçanaj në pozitën e Kryetares dhe Sokol Vladi në pozitën e zëvendës Kryetarit.
Organizuar nga shtëpia botuese ICTSmedia dhe vlerësuar me çmimin Bleta e Artë në Kategorinë ICT për kontributin e çmuar në drejtim të promovimit të sipërmarrjes dhe zhvillimit në këtë sektor, Albanian ICT Awards shpall më 28 Prill fituesit e edicionit të pestë të garës.