Mbahet konferenca për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet në internet
Prishtinë, 7 dhjetor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Projektin e financuar nga Bashkimi Evropian, projekti PROCON organizojnë sot konferencën rajonale për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet në internet.
Qëllimi i kësaj konference është prezantimi i rezultateve të projektit PROCON dhe shkëmbimi i praktikave nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, në fushën e sigurisë së fëmijëve në Internet.
Projekti PROCON Mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet në Internet, ka për qëllim të sigurojë mbrojtje më të mirë për fëmijët nga rreziqet në internet, përmes vetëdijesimit, fuqizimit dhe aktiviteteve të bashkërenditura të Qeverisë, Shoqërisë Civile dhe Industrisë për marrjen e masave mbrojtëse.
Në kuadër të projektit është zhvilluar Strategjia pesë-vjeçare Nacionale për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Rreziqet në Internet.
Projekti ka mbështetur edhe zhvillimin e udhëzuesve informativ për fëmijë, mësimdhënës dhe prindër, të cilat janë përdorur si bazë për organizimin e sesioneve informative/vetedijësuese nëpër shkollat e Kosovës.
Në hapjen e kësaj konference, do të marrë pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ndërsa pjesëmarrës do të jenë edhe zyrtarë të MAShT, Drejtorive Komunale të Arsimit, mësimdhënës dhe nxënës nga shkolla të ndryshme të Kosovës.