MAP i vendosur të shtyn përpara procesin e hapjes se të dhënave
Prishtinë, 24 janar - Në Ministrinë e Administratës Publike u mbajt një takim pune, lidhur me Hapjen e të Dhënave, me fokus në inventarizimin e tyre. Pjesëmarrës të këtij takimi ishin zyrtarët për komunikim me publikun të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pjesëtarë nga shoqëria civile.
Ministri i MAP-it, Mahir Yagcilar, pasi u shpreh mirënjohës për bashkëpunim me pjesëmarrësit për procesin e Hapjes së të Dhënave në Kosovë, theksoi se në maj të vitit 2016, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Kartën për Hapjen e të Dhënave dhe ka ngarkuar Ministrinë e Administratës Publike për koordinimin e aktiviteteve për hapjen e të dhënave të institucioneve të Kosovës (Vendimi Nr. 07/87).
Në kuadër të përmbushjes së këtij procesi, MAP-i tashmë ka ndërmarrë disa veprime konkrete duke përfshirë zhvillimin e Portalit Kombëtar për Hapjen e të Dhënave, në bashkëpunim me shoqërinë civile (opendata.rks-gov.net) si dhe fillimin e zbatimit të metodologjisë së Bankës Botërore për Vlerësimin e Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave në Kosovë (ODRA).
Raporti final pritet të publikohet në mars të këtij viti dhe do të ndihmoj në plotësimin e planit të veprimit dhe përgatitjen e veprimeve të tjera për të hapur të dhënat.
Po ashtu, vazhdoi ministri Yagcilar, kemi arritur rezultatet konkrete në hapjen e të dhënave dhe e kemi parë përgjegjësinë tonë për të koordinuar hapjen e të dhënave, edhe si një mundësi për të udhëhequr këtë proces me shembuj pozitiv.
Kështu, së fundi, MAP-i ka publikuar afër 80 tabela me të dhëna për shërbimin civil dhe publik të Republikës së Kosovës dhe angazhimin në kuadër të IKAP-i për zhvillimin e kapaciteteve të tyre. Ne do të vazhdojmë këtë proces edhe me hapjen e të dhënave financiare të MAP-it.
Për arsyeshmërinë e Hapjes së të Dhënave, ministri Yagcilar tha : ”Këto veprime janë në përputhje me vizionin tonë dhe obligimin kushtetues që kemi për qeverisje të mirë, transparente dhe llogaridhënëse.
Hapja e të dhënave ka përfitime të shumta si për proceset demokratike, por po ashtu edhe për zhvillimin ekonomik dhe inovacionin.
Në përfundim të fjalës se tij, ministri Yagcilar, pjesëmarrësve iu drejtua me fjalët se:” Synimi ynë është rritja e transparencës në dobi të përmirësimit të shërbimeve administrative”.
Ky takim pune, në pjesën e parë u fokusuan në aspektet e përgjithshme njoftuese për Hapjen e të Dhënave, ndërsa pjesa e dytë u përqendrua në procesin e inventarizimit te të dhënave në institucione dhe të sqarimit të kërkesës së ASHI/MAP, që secili institucion të bëjë inventarizimin e të dhënave që zotërojnë.