Lenovo sjell smartfonin me bateri jetëgjate

Pekin, 29 prill - Lenovo ka lansuar smartfonin mesatar S860 në Indi ndërsa synon të hyjë në konkurrencë me HTC Desire 816 dhe Sony Xperia T2 Ultra në segmentin nën 300 euro.
Me një çmim prej rreth 250 euro, Lenovo S860 është në dispozicion për para-blerje në dyqanin elektronik të kompanisë që nga dita e sotme ndërsa në shitje do të jetë nga data 3 maj.
Veçoria dalluese e këtij telefoni është jetëgjatësia e baterisë. Me një bateri gjigante prej 4000 mAh, Lenovo thotë se modeli S860 është në gjendje të ofrojë 24 orë kohë bisede dhe mund të rimbushë edhe pajisjet tjera përmes portit microUSB.
Ekrani i tij është 5.3-inç IPS me rezolucion 1,280×720. Sikurse shumica e kësaj kategorie, edhe S860 vjen me procesorin quad-core bashkë me 2GB RAM memorie. Shpejtësia e procesorit MediaTek MT6582 është 1.3GHz, transmeton Koha.net.
Për sa i përket kamerave, kjo pajisje vjen me atë të pasmen prej 8MP ndërsa të përparmen 1.6MP.
Pajisja funksionon përmes sistemit operativ Android 4.2 Jelly Bean, ndërsa kompania planifikon ta azhurnojë atë në KitKat në të ardhmen. Hapësira e brendshme e modelit S860 është 16GB, ndërsa mangësia e tij mund të jetë mungesa e mundësisë së shtimit të hapësirës përmes microSD.
Si pothuajse shumica e telefonave që prodhohen në Indi e Kinë, edhe kjo pajisje vjen me opsionin për dy SIM kartela.