Lansohet sfida Për Prishtinën Digjitale

Prishtinë, 7 maj - Prishtinë, 7 maj - Komuna e Prishtinës, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Qendra e Inovacionit në Kosovë (ICK) lansuan sot sfidën përmes të cilës qytetarët ftohen të kontribuojnë me idetë e tyre në rritjen e transparencës në sektorin publik.
Sfida Për Prishtinën Digjitale ngërthen në vete angazhimin më të madh qytetar në vetëgjetjen e zgjidhjeve për qeverisje të mirë.
Qytetarët e interesuar të Kosovës do të kenë mundësi që gjatë muajit maj të regjistrojnë idetë e tyre për zgjidhjet teknologjike në dy fusha: 1) përcjelljen e shpenzimeve publike të Komunës në mënyrë të qasshme për qytetarin, si dhe 2) përzgjedhjen e drejtë të kandidatëve për punë në sektorin publik.
Sfida u lansua në një konferencë për shtyp ku morrën pjesë kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, Koordinatori i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësuesi i Përheshëm i UNDP-së, Andrew Russel dhe menaxheri i ICK-së Uranik Begu.
Gjatë muajit maj pason edhe kampanja promovuese në të gjitha mediat. Palët e interesuara munden të regjistrojnë idetë e tyre në faqen www.openideas.me/kosovo.
Në fillim të muajit qershor do të mbahet edhe vikendi për zhvillimin e prototipeve të aplikacioneve dhe dy idetë më të mira do të shpërblehen financiarisht dhe me pjesëmarrje në nisma rajonale.