25 Dhjetor 2024

Lansohet portali gjithëpërfshirës për qytetin e Gjakovës

Gjakovë, 21 dhjetor - Sot është bërë ceremonia e promovimit të portalit gjithëpërfshirës për Komunën e Gjakovës.

Përmes këtij portali institucional, Komuna e Gjakovës qëndron më afër qytetarëve të saj dhe prezanton Gjakovën e sotme dhe të shkuar duke ofruar informata të nevojshme për secilën fushë të interesit.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila në hapjen e kësaj ceremonie ka thënë se qytetarët do të kenë mundësinë që përmes këtij portali të kenë qasje në informata dhe njoftime të cilat transmetohen në vazhdimësi si aktivitete të Komunës së Gjakovës, të njihen më shumë me projektet dhe raportet të cilat pasqyrojnë objektivat dhe të arriturat e Komunës së Gjakovës, si dhe të kenë qasje direkte në këtë portal.

Kryetarja ka falënderuar edhe UNDP për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Komunën e Gjakovës gjatë këtyre dy viteve duke jetësuar shumë projekte të cilat po rrisin çdo ditë e më shumë transparencën komunale.

Në këtë ceremoni, ka folur edhe zv. përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, e cila ka thënë që ndjehet e privilegjuar që në vazhdimësi po bashkëpunojmë me Komunën e Gjakovës dhe po sjellim projekte me rëndësi të veçantë për qytetarët.

Teknologjia është bërë pjesë e jona, dhe përmes këtij portali qytetarët, bizneset dhe investitorët janë më afër informatave dhe të ndërlidhur mes vete.

Në fund, është bërë prezantimi i detajuar nga Drejtori i Administratës, Armend Vokshi, i cili ka sqaruar në detaje për përmbajtjen e këtij portali si dhe mundësinë e integrimit të qytetarëve në këtë portal rreth projekteve, konkurseve, njoftimeve, trashëgimisë kulturore, mundësitë ligjore për qasje në dokumente publike, etj.

Në mënyrë që ky portal të pasurohet çdo ditë dhe më shumë, kërkohet edhe kontributi i qytetarëve të cilët me përvojat, risitë dhe rekomandimet e tyre mund të kontribuojnë që Gjakova të jetë sa më mirë e përfaqësuar virtualisht.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)