Lansohet “Fondi i Inovacionit” financuar nga Ministria e Inovacionit dhe GIZ
Prishtinë, 14 nëntor - Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj ka lansuar skemën e re të granteve të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë "Fondi i Inovacionit", me mundësi përfitimi prej 50, 000 eurosh.
“Skema e granteve, "Fondi i Inovacionit", do të mbështesë NVM-të në zhvillimin e konceptit të tyre të inovacionit duke prezantuar produkte, shërbime, procese të reja të përmirësuara, me qëllim rritjen e potencialit të tyre ekonomik, në tregjet e brendshme dhe ndërkombëtare”, theksoi ministri Beqaj me rastin e lansimit të Fondit të Inovacionit.
Ministri Besi Beqaj ka thënë po ashtu se ky Fond është një mundësi më shumë për ndërmarrësit, për më shumë mjete të investuara drejtpërdrejtë në sektorin privat nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
"Fondi i Inovacionit" është bashkëfinancim i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe GIZ, përmes projekti”Krijimi i Punësimit Përmes Promovimit të Eksportit” (CETEP) dhe implementohet nga Qendra e Inovacionit e Kosovës (ICK).
Projekti parashihet të ketë ndikim në katër fusha të veprimit sipas nevojave të sektorit privat në sektorët: bujqësia, TIK dhe prodhimi. Fushat në të cilat do të mbështeten NVM-të janë: informacioni i lidhur me biznesin, shërbimet e biznesit të orientuara drejt tregut, inovacionet e produktit dhe procesit dhe promovimi i eksporteve.
Data e fundit për aplikim për grante të këtij Fondi është 30 nëntor 2018, në ora 16:00.