Lansohet aplikacioni telefonik për raportim të ngacmimit seksual

Prishtinë, 25 shkurt - Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), Open Data Kosovo (ODK) dhe Girls Coding Kosova (GCK) do të bëjnë sot lansimin e aplikacionit për telefoni të mençur Ec Shlirë, i cili do të bëjë të mundur raportimin e ngacmimit seksual. Mediat janë të ftuara të marrin pjesë.
Raporti i ri hulumtues i RrGGK-së mbi ngacmimin seksual në Kosovë, tregoi se 48,5% e qytetarëve të Kosovës kanë përjetuar ngacmim seksual gjatë jetës së tyre.
Megjithatë, vetëm dy respodent kanë pohuar të kenë raportuar rastin tek autoritetet, ndërsa të dhënat nga Policia e Kosovës tregojnë se vetëm shtatë raste të ngacmimit seksual janë regjistruar në vitet 2013-2014.
Në mënyrë që të ndihmohen qytetarët për të raportuar ngacmimin seksual dhe për të ndihmuar institucionet që ta parandalojnë atë, RrGGK, ODP dhe GCK u bashkuan për të zhvilluar një aplikacion për telefoni të mençur, i cili do të ju mundësonte qytetarëve të raportojnë në mënyrë anonime (ose jo) vendin ku ka ngjarë ose ka gjasë të ngjajë ngacmimi seksual, si dhe formën e ngacmimit seksual.
Rastet e ngacmimit regjistrohen dhe bëhen të dukshme në hartë, duke e bërë të mundur identifikimin e zonave se ku mund të ndodh, si dhe në cilën kohë të ditës ndodh më shpesh ngacmimi seksual.
Këto informata potencialisht mund të informojnë planifikimin urbanistik, si dhe do ti ndihmojnë policisë në planifikim më të mirë se ku është më e nevojshme prania e tyre.
Ec Shlirё mund të shkarkohet në App Store pa pagesë. Mund ta përcillni në #EcShlirё dhe në: http://www.ecshlire.com.
Aplikacioni është dizajnuar dhe programuar nga 30 vajza të reja nga Kosova, gjatë nëntë punëtorive interaktive nën mbikqyrjen e ODK dhe GCK.
Këto inxhiniere të reja ishin përgjegjëse për zhvillimin e këtij aplikacioni, ndërsa atyre u është ofruar aftësim për punësim në të ardhmen.
Në të njejtën kohë, ato kanë patur mundësinë të përdorin shkathtësitë e tyre inixhinierike për të mirën publike. Pjesëmarrëset e dalluara do të pëzgjidhen për punë praktike.
Krijimi i aplikacionit Ec Shlirë u mundësua me përkrahjen e Fondit Kanadez për Nisma Lokale, USAID - Projektit për Fuqizim të Sektorit Privat, Minisitrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe nga RIT/AUK.