Lansohet aplikacioni 'Prishtina ecë nëpër histori'
Prishtinë, 9 tetor - Instituti për Histori Gojore dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) do të lansojnë sot aplikacioni për celular 'Prishtina ecë nëpër histori'.
Qyteti i Prishtinës ka qenë gjithmonë një zonë me fluks të madh të njerëzve në lëvizje që është i banuar gati 10.000 vjet.
Dokumenti i parë historik që përmend Prishtinën me këtë emër daton nga viti 1342 ndërsa gjatë shekujve 14 dhe 15, Prishtina u bë një qendër e rëndësishme minerare dhe tregtare në Ballkan. Qyteti ka kaluar nëpër sundimin ilir, romak, bizantin, osman dhe sllav, ku të gjithë lënë shenja në historinë dhe trashëgiminë e tij.
Për të kujtuar së paku diç nga kjo histori e pasur, Iniciativa për Histori Gojore, përmes projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore”, vendosi t’i regjistrojë tregimet e banorëve të Prishtinës që shpalosin momente të rëndësishme të njëqind viteve të kaluara.
Ata regjistruan njëzet e nëntë intervista të historisë gojore dhe u këshilluan me mbi njëqind intervista nga arkivi dixhital i Historisë Gojore të Kosovës (oralhistorykosovo.org) dhe arkivave të tjerë me fotografi, si publike ashtu dhe private.
Kjo rezultoi me histori të panumërta personale që shënuan ngjarjet kryesore kulturore dhe politike që kanë përcaktuar identitetin bashkëkohor të Prishtinës të mbledhura në një aplikacion, të cilit me meritë, iu dha emri Prishtina Ecë.
Prishtina Ecë është një hartë interaktive shumë gjuhësore, e cila u krijua për të akomoduar këto gjurmë të mbledhura në video, audio dhe tekst.
Aplikacioni përbëhet nga katër Shetitje tematike: Nga a la Turca në a la Franga; Asfalt për përparim; Të 90-tat e gjata; dhe Memoryscapes, të cilat përmbajnë gjithsej tetëdhjetë e katër vendndodhje të ilustruara nga njëqind e dhjetë video të shkurtra që zbulojnë qytetin nga perspektiva e banorëve të vet.
Secila Shetitje ofron përvoja gjithëpërfshirëse zbulimi dhe mësimi që ushqejnë kureshtjen për trashëgiminë kulturore, historinë lokale dhe arkitekturën. Për më tepër, Shetitjet inkurajojnë të ecurit si mënyrë për të krijuar një ndjenjë të përkatësisë dhe kulturës së vendit.
E filluar në shtator të 2018-tës nga Iniciativa për Histori Gojore, aplikacioni për celular Prishtina Ecë është një projekt studimor për prishtinën që ka zgjatur mbi një vjet dhe është pjesë e projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore” i financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon në Stabilitet dhe Paqe (IcSP) dhe zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.