KOSTT mbështet zhvillimin e iniciativës së “Infrastrukturës Digjitale Ballkanike”
Prishtinë, 2 tetor - KOSTT sh.a mbështet zhvillimin e mëtejshëm të iniciativës për ndarjen e përbashkët të infrastrukturës rajonale "Balkans Digital Highway" (Autostrada Digjitale Ballkanike), të propozuar nga Banka Botërore. Kjo përkrahje vjen si përgjigje ndaj konkluzioneve të miratuara në punëtorinë kushtuar iniciativës e cila u mbajt në Tiranë, Shqipëri, më 26 dhe 27 shtator 2018.
Ngjarja mblodhi operatorët e sistemit të transmisionit (OST) nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, pjesë e së cilës ishte edhe delegacioni i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT sh.a) i kryesuar nga Kryeshefi Ekzekutiv z.Ilir Shala.
Punëtoria dhe vetë iniciativa dolën nga nisma e Bankës Botërore për Autostradën Digjitale Ballkanike. Pjesëmarrësit e punëtorisë në Tiranë diskutuan gjetjet nga studimet e para-fizibilitetit të gjeneruara nga iniciativa, si dhe diskutuan mbi pikat strategjike për të ardhmen e iniciativës. Ky shkëmbim u pasurua përmes paraqitjes së rasteve studimore të nivelit shtetëror dhe rajonal nga vendet Baltike, Amerika Qendrore, Greqia, Letonia, Rumania dhe Sllovenia mbi ndarjen/shfrytëzimin e përbashkët të infrastrukturës së energjisë elektrike dhe telekomunikacionit.
Me këtë rast, udhëheqësja e ekipit të punës së Asistencës Teknike të Bankës Botërore znj. Natalija Gelvanovska-Garcia ka bërë një përmbledhje mbi rëndësinë e ecjes përpara me iniciativën: "Nëpërmjet Autostradës Digjitale Ballkanike ne po punojmë për të inkurajuar shkëmbimin efikas të infrastrukturës në dispozicion të fibrave optike, duke përfshirë edhe hapësirën përtej kufijve. Kjo do t'i parandalonte qeveritë dhe sektorin privat nga investimi i tepruar në rrjetet e qasjes “broadband”. Sipas hulumtimit tonë, operatorët e sistemit të transmisionit në Ballkanin Perëndimor kanë asete të konsiderueshme shtesë të fibrave optike të cilat kryesisht përdoren në nivel të ultë. Duke pasur parasysh kërkesën e lartë për infrastrukturë shtesë të rrjetit kryesor (backbone) nga sektori i telekomunikacionit, kompanitë energjetike mund të angazhohen në ndarjen e infrastrukturës përmes dhënies me qira të qasjes sipas kushteve komerciale për ofruesit e interesuar të shërbimeve të internetit. Një veprim i tillë do të krijonte një situatë të qartë financiare "të favorshme" për të dy kompanitë e shërbimeve dhe kompanitë e internetit ".
Në anën tjetër, Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT z.Ilir Shala ka theksuar: “KOSTT është një nga OST-të e para nga Ballkani Perëndimorë që tashmë ka filluar me ofrimin e shërbimeve për shfrytëzimin me qera të rrjetës së lirë/të pashfrytëzuar të fibrave optik (dark fiber/të pa-ndriçuar). Deri më tani ne kemi nënshkruar katër marrëveshje të suksesesshme me operatorët e interesuar të shërbimeve telekomunikuese dhe me këtë rast i inkurajoj edhe OST-të e tjera të rajonit që të ndjekin këtë model”.
Pjesëmarrësit e punëtorisë mbështetën qasjen e propozuar nga Banka Botërore, që ishte vazhdimi i programeve të asistencës teknike në nivel kombëtar dhe rajonal për të mbështetur ato ndërmarrje që ende nuk janë të angazhuara në ndarjen e infrastrukturës për shkak të kufizimeve të kapaciteteve, rregullatore ose të tjera.
Faza e fundit e iniciativës do të përfshinte fillimin e ndarjes së infrastrukturës rajonale mes vendeve fqinje. Perspektiva e kësaj ndodhie është tashmë e lartë, pasi që OST-të pjesëmarrëse kanë rënë dakord të krijojnë një grup joformal për ndarjen e përbashkët të infrastrukturës, që, ndër të tjera, do të bashkërendojnë standardet për interkoneksione dhe të ndajnë informacione rreth rrjetave të fibrave.
Asistenca Teknike për Autostradën Digjitale në Ballkan, administruar nga Departamenti për Zhvillim Digjital i Bankës Botërore, është financuar nëpërmjet Njësisë Këshillimore për Infrastrukturën Publiko Private (PPIAF), një njësi për asistencë teknike nga donatorë të shumtë, e përbërë nga donatorë multilateral dhe bilateral. Iniciativa ka mbuluar të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimorë, duke u angazhuar me një shumëllojshmëri të akterëve në sektorin e energjisë dhe TIK-ut përgjatë periudhës 2017-2018. KOSTT sh.a merr pjesë në Asistencën Teknike të Bankës Botërore që nga viti 2017.
Samiti i Triestes i mbajtur në korrik të vitit 2017 ka ofruar mbështetje politike për iniciativën duke përfshirë në Planin Shumëvjeçar të Veprimit një veprim që ka të bëjë me fillimin e dialogut rajonal për komercializimin e aseteve rezervë/të pa përdorura të fibrave optike dhe për adresimin e kufizimeve që pengojnë procesin.
Që nga viti 2004, paralel me zhvillimin e Sistemit Transmetues të energjisë elektrike, KOSTT po ashtu ka ndërtuar dhe zhvilluar rrjetin e ri telekomunikues të bazuar në fibra optik OPGW (Optical Power Ground Wire), me gjatësi mbi 1100 km të vendosur nëpër largpërçues të tensionit të lartë, brenda gypave në bërthamën e të cilëve në shumicën e rasteve janë vendosur 48 fije optike, përveç rasteve të pakta me 24 dhe 96 fije optike. Ky rrjet është mjaft i avancuar dhe i aftë të ofroj shërbime komunikuese dhe të informacionit në qytetet dhe vendbanimet kryesore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.