Kosova në Panairin e Teknologjise CeBIT në Gjermanisë
Hannover , 11 mars - Agjencia për Promovimin e Investimeve, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ka marrë pjesë në Panairin per Teknologji Informative CeBIT, me datë 5 deri më 9 mars 2013, ku janë prezantuar potencialet e Kosovës për investime, si dhe bashkëpunimi në sektorin e Nënkontraktimit të Proceseve Biznesore (Business Process Outsourcing).
Panairi CeBIT organizohet në Hannover të Gjermanisë dhe është një ndër panairet më të mëdha të sektorit të Teknologjisë Informative. Në këtë panair nga Kosova kanë marrë pjesë STIKK (Shoqata e Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës) dhe kompanitë nga Kosova, të cilat ofrojnë shërbime për kompanitë e huaja në sektorin e BPO-së, Rrota, Adaptivit dhe Ion.
Në panairin CeBIT çdo vit prezantojnë mbi 4000 kompani nga 100 shtete dhe vizitohet mesatarisht nga më shumë se 135.000 vizitorë nga 130 shtete.
Gjatë këtij panairi shtandin e APIK-ut e kanë vizituar një numër i konsiderueshëm i vizitorëve të cilëve iu janë prezantuar përparësitë që ofron Kosova në sektorin e Teknologjisë Informative.
Përfaqësuesit e APIK-ut janë takuar edhe me përfaqësues të shoqatave të Sektorit të Teknologjisë nga shtete të ndryshme për të shikuar mundësitë të organizimit të takimeve në mes të bizneseve në të ardhmen.
Panairi është vizituar edhe nga Ministri Federal i Ekonomisë dhe Teknologjisë të Gjermanisë i cili u takua me përfaqesuesit e kompanive Kosovare, te cilat gjatë panairit kanë pasur takime të frytshme të cilat besojmë se shpejti do të rezultojnë me realizimin e kontratave për bashkëpunim me kompanitë e huaja.
Vizita në panairin e CeBIT-it është organizuar nga STIKK në mbështetje nga SIPPO, GIZ dhe Ministria e Punëve të Jashtme.