Kosova duhet të rris investimet në sektorin kibernetik dhe mbrojtjen e të dhënave
Këto, ndër të tjera, u thanë gjatë një punëtorie të organizuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku u diskutua mbi mbrojtjen e të dhënave, shitësit e besueshëm, sigurinë kibernetike dhe privatësinë e informacionit.
Valerie Tucker, zyrtare për ekonomi në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, njëherit edhe moderatore e punëtorisë, tha se me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit për Rrjetin 5G në mes të Kosovës dhe SHBA-së, Kosova ka marrë një hap shumë të rëndësishëm drejt ruajtjes së sigurisë kombëtare, të drejtave të njeriut, pronës intelektuale dhe të dhënave personale, sot dhe në të ardhmen.
Agim Bekaj, përfaqësues i Kosovës në kompaninë amerikane Microsoft, potencoi se në aspektin kibernetik njëri nga problemet më të mëdha në vend është shkalla e lartë e piratësisë si dhe përdorimi i softuerëve të jashtëligjshëm.
Sipas tij, Microsoft, duke përcjellë transformimin digjital të proceseve arsimore, i është përkushtuar mbrojtjes së fëmijëve dhe të dhënave të tyre duke ofruar një platformë të sigurtë dhe pa pagesë për vijimin e mësimeve.
Tutje, ai theksoi se një ndër mënyrat më efikase për të shmangur sulmet kibernetike është investimi në mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave, ndërsa u bëri thirrje bizneseve për të shfrytëzuar shërbimet cloud.
Andrej Petreski, përfaqësues i kompanisë Cisco, tha se pandemia COVID-19 në mënyrë të theksuar ka vënë në pah rëndësinë e sektorit të teknologjisë dhe informacionit brenda bizneseve, prandaj avancimi i të njëjtit është i domosdoshëm.
Sipas Petreskit, megjithëse kompanitë e mëdha janë rëndom të vetëdijshme mbi rëndësinë e mbrojtjes kibernetike, kompanitë e vogla, të cilat janë më të rrezikuarat nga sulmet kibernetike, kanë nevojë për investime në sisteme mbrojtëse dhe qendra të të dhënave.
Ashken Adili, zyrtar i informacionit në kompaninë Cacttus, tha se ndër hapat e parë që duhet të merren mbi mbrojtjen nga sulmet e ndryshme kibernetike janë investimi në shitësit e besuar, krijimi i sistemeve mbrojtëse të informatave si dhe mirëmbajtja e tyre gjatë tërë kohës.
Adili gjithashtu potencoi se si shtet i ri, Kosova është subjekt i rreziqeve kibernetike ndërsa ekziston nevojë për investim në edukimin mbi mbrojtjen e të dhënave, sidomos tek të rinjët.
Tanzer Abazi, themelues dhe menaxher i përgjithshëm i kompanisë FindBug, theksoi se në Kosovë ekziston mungesë e theksuar e dijes rreth menaxhimit të të dhënave, si dhe mbrojtjes së rrjeteve të kompanive, çështje këto rreth të cilave FindBug ka pranuar kërkesë për ndihmë nga sektorë të ndryshëm.
Abazi potencoi nevojën për investim më të madh nga shteti në sektorin kibernetik, dhe sigurimin e privatësisë së të dhënave.
Drinor Selmanaj, kryeshef ekzekutiv i Cyber Academy, theksoi se digjitalizimi i nxitur nga shpërthimi i pandemisë ka krijuar mundësi për sulme kibernetike dhe si rrjedhojë kompanitë janë motivuar të investojnë në këtë drejtim.
Duke iu referuar avancimeve në sektorin global të kibernetikës, ai përmendi edhe avancimin e sulmeve ndaj infrastrukturave kritike të kryera edhe ndaj shteteve më të zhvilluara, me ç’rast theksoi se është e domosdoshme të krijohen strukturat e duhura mbrojtëse për Kosovën.
Robert Shala kryeshef ekzekutiv i kompanisë Sentry, potencoi se mungesa e një tregu të sigurimeve për rreziqet kibernetike është një barrierë tjetër e zhvillimit të këtij sektori. Sipas tij, ekzistimi i të njëjtit do të mund të ndihmonte në zhvillimin e bizneseve, duke stimuluar avancimin e sistemeve të mbrojtës së të dhënave të tyre.
Shala tha se sa i përket infrastrukturave kritike, ekzistojnë disa boshllëqe brenda fushës telekomunikative që duhet adresuar, derisa theksoi se duhet të të sigurohet besueshmëria e shitësve të shërbimeve kibernetike, meqë kjo infrastrukturë shërben për të dhëna në nivel nacional.