Kosova bëhet me harta topografike
Prishtinë, 8 nëntor - Agjencia Kadastrale e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (JICA), ka mbajtur sot Seminarin me temë Projekti i Zhvillimit të Burimeve Njerëzore mbi Informatat Gjeo-Hapësinore të Kosovës.
Hapjen e seminarit e bëri Zëvendës Ministri i MMPH-së, Shpëtim Rudi, i cili tha se pritjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë që ky projekt të plotësojë ato zbrazëtira që aktualisht ekzistojnë të fushën e të dhënave gjeo-hapësinore, duke ofruar njëherësh edhe ndihmën Qeverisë në krijimin e kushteve për zbatimin kualitativ dhe me kohë të këtij projektit, i cili do të rezultojë me krijimin e hartave digjitale topografike të përpjesëtimit 1:25.000.
Më pas Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës Prof. Dr. Murat Meha përmendi se nga hartat e reja topografike 1:25.000, do të përfitojnë si institucionet, po ashtu edhe qytetarët e Republikës së Kosovës.
Më pas përfaqësues nga JICA japoneze dhe nga AKK-ja prezantuan detaje mbi ecurinë e projekteve, gjendjen aktuale në terren, pritjet në lidhje me kualitetin e hartave të reja topografike 1:25000, etj.
Seminari ishte dinamik dhe interaktiv, dhe pjesëmarrësit debatuan lidhur me mënyrën e realizimit të projektit, mënyrën e shpërndarjes së këtij produkti pas përfundimit të tij, etj.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike të nivelit qendror dhe lokal, respektivisht përfaqësues nga Ministria e Administratës Publike, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, Departamenti i infrastrukturës Rrugore, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Instituti gjeologjik i Kosovës, Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, etj.