Konkurrenca në tregun e telefonave inteligjentë
Seul, 15 gusht - Kompania Samsung Electronics, më e madhja në botë për prodhimin e mikro-procesorëve, telefonave celularë dhe televizorëve fletë thotë se fitimet operacionale për tremujorin e dytë u rritën me gati 80 përqind nga një vit më parë duke arritur një nivel rekord.
Analistët thonë se kjo rritje u nxit nga shitjet e telefonave Galaxy. Në të njëjtën kohë humbjet e kompanisë Nokia u katërfishuan në tremujorin e dytë ndërsa kompania përpiqet të rifitojë tregun e humbur.
Përdoruesit koreanojugorë po provojnë telefonin Galaxy S3 të Samsungut në një nga qendrat tregëtare më të mëdha të Seulit.
Pajisja e re 4 presje 8 inch me teknologjitë si komunikimi në terren dhe njohja e tipareve të fytyrës pritet të jetë kërcënim i madh për iPhonin.
Ky produkt ndjek nevojat e konsumatorit ndryshe nga telefonat e tjerë ku konsumatori përpiqet të përshtatet me produktin, thotë Rim Ah-Young, një nga drejtuesit e kompanisë.
Edhe pse dalja e iPhonit në treg në Korenë e Jugut disa vjet më parë ka dëmtuar shitjet e kompanisë Samsung, telefoni inteligjent Galaxy S3 po përparon fuqishëm me karakteristika të përmirësuara.
Dhe padyshim që shumë konsumatorë koreanojugor preferojnë markën vendase.
Telefoni më pëlqen të ketë shumë funksione. Çdo gjë kontrollohet nga një buton i vetëm në iPhone por nuk më pëlqen. E dua telefonin tim të ketë më shumë funksione, thotë ky student që ka blerë Samsungun Galaxy S3.
Lim Tae-yun është ekspert në Institutin për Kërkime Ekonomike të Samsungut, që studion në mënyrë të pavarur dhe bën kërkime në mbarë industrinë.
Ai thotë se edhe pse iPhone ishte telefoni më i mirë përsa i përket fuksioneve të tij kur doli në fillim dhe tani Samsungu dhe Apple janë pothuajse ekuivalent.
Tek telefonat Samsung gjejmë stile të ndryshme me shumë funksione. Samsungu ka bërë përpjekje të mjaftueshme për të përmirësuar cilësinë dhe funksionet. Një diçka tjetër është se Samsungu ka modele të shumta ndryshe nga Apple që tani për tani ka vetëm një model.
Megjithatë shumë mendojnë se iPhone i Apple-it është më miqësor për përdoruesit.
Apple është një mark që preferohet nga të rinjtë. Kjo është arsyeja që isha i tërhequr prej tij. E përdor Apple pasi ka kaq shumë aplikacione të mundura dhe më lejon të kem më shumë zgjedhje, thotë studenti Baik Eun-jin.
Apple dhe Samsung kanë luftuar për vite me njëra tjetrën dhe tani po përputhin edhe hedhjen e produkteve të reja në treg.
Të dyja kompanitë janë superiore ndaj kompanive të tjera përsa i përket kapacitetit të marketingut dhe në fushën e konkurrencës në kosto. Besoj se Samsung dhe Apple do të jenë drejtuesit e tregut në fushën e telefonave inteligjentë, thotë Lim.
Ndërkohë humbjet e Nokias u katërfishuan në shitjet e telefonave inteligjentë, një treg ku kompania po përpiqet të fitojë konsumatorët e tërhequr nga Apple dhe Samsungu.
Në të kaluarën, Nokia udhëhiqte tregun, por tani Samsungu është përpara. Nokia ishte shumë e ngadaltë për të nxjerr telefonin e saj inteligjent dhe mbizotërimi i tyre në treg ka rënë jo vetëm në Evropë por edhe në Kinë.
Kompania finlandeze ka qënë kryesorja në tregun e telefonave celularë për më shumë se një dekade por ka humbur pjesë të tregut për shkak të Samsungut.