Konferenca Transformimi Dixhital i Edukimit prezantoi disa prej projekteve
Tiranë, 7 dhjetor - Konferenca Transformimi Dixhital i Edukimit u mbajt ditën e sotme në Hotel Plaza në Tiranë me pjesëmarrjen e mëse 190 institucioneve private, publike dhe të palëve të interesit në vend.
Microsoft së bashku me partnerët, shpalosën dhe prezantuan disa prej projekteve më të rëndësishme në sektorin e edukimit në Shqipëri si dhe mundësitë për permirësim me përdorimin teknologjisë së informacionit.
Në konferencë nderuan me pjesëmarrjen e tyre, Drejtori i Microsoft Albania, Sokol Vladi, Menaxheri i Microsoft në 15 Shtete të Europës Lindore, z. Michael Kogeler, Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, zj. Milena Harito, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, zv Ministrja e Arsimit, zj. Nora Malaj.
\"Sistemi edukativ duhet të jetë modern në mënyrë që të adresojë ndryshimet e ditëve të sotme. Interneti tashmë ka ndryshuar mënyrën tonë të të komunikuarit, punuarit dhe argëtuarit. Duke i dhënë rëndësi të veçantë edukimit në teknologji, Microsoft u mundëson studentëve të rrisin dhe përmirësojnë aftësitë e tyre dixhitale të domosdoshme për revolucionin e katërt industrial që na pret,\" u shpreh gjatë konferencës Drejtori i Microsoft Albania, Sokol Vladi.
\"Transformimi dixhital nuk është më një opsion, teknologjia është jeta e përditshme e miliona njerëzve në mbarë botën. Në Europë pritet që brenda 5 viteve të ardhshme të krijohen një milion vende të reja pune nga teknologjia. Ky mbase është një diskutim që mund ta bëjmë vetëm ne sepse për një fëmijë sot nuk ka asgjë të re,\" u shpreh Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, zj. Milena Harito.
\"Sfida jonë është si të takojmë tregun modern të punës me edukimin dhe në këtë kuadër kjo është një sfidë mjaft e vështirë. Në 25 vitet e fundit në Shqipëri ai që ishte harruar ishte edukimi profesional. Megjithatë shenjat janë të mira sepse sot kemi dyfishin e kapaciteteve në shkollat profesionale,\" ishte qëndrimi i Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi.
\"Të edukohesh me teknologji do të thotë të kesh një qasje të re të të gjithë shoqërisë. Koha që jetojmë sot është ajo e cila mbyll hendeqet e komunikimit. Integrimi në shoqëri vjen me komunikimin dhe në veçanti sot komunikimin dixhital në thelb të të cilit qëndron edukimi. Nëse vijojmë me sistemin tradicional të edukimit, investimi në këtë sektor do të vinte shumë më vonë sesa nevojat,\" tha zv Ministrja e Arsimit, zj. Nora Malaj.
Në konferencë u prezantuan disa prej projekteve më të rëndësishme në edukim dhe IT të realizuara falë bashkëpunimeve gjithëpërfshirëse mes institucioneve publike dhe private për ekselencë në edukim në Shqipëri si:
Projekti i konektivitetit në 20 shkolla në Shqipëri: Më shumë se 15,000 studentë kanë qasje në Wi-Fi një projekt i financuar nga Microsoft dhe mbështetur nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Komunikimi dhe angazhimi mes mësuesve dhe studentëve nuk ka qenë asnjëherë më i lehtë një proces tashmë i mundur nga çdo vend dhe çdo paisje. Drejtori i Microsoft Albania, z. Sokol Vladi së bashku me Ministrin e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë z. Blendi Klosi firmosën simbolikisht në konferencën finalizimin e projektit.
60 shkolla pilot do të përfitojnë nga Office 365 dhe Intune: Projekti u inicua nga Ministria e Edukimit dhe Sportit dhe do të lançohet nga një partner i Microsoft siç është Infosoft. Office 365 do të ofrojë një platformë qëndrore komunikimi dhe bashkëpunimi mes studentëve dhe mësuesve shqiptarë falë aplikacioneve popullore dhe mjeteve të fuqishme që mundësojnë mënyra të reja të ndërveprimit, mësime interaktive dhe një proces mësimor individual.
Sistemi i Menaxhimit të Mësimit: Do të implementohet gjerësisht nga të gjitha shkollat K-12 dhe do të prezantohet nga Bit Media.
Projekti i \"Ngushtimit të Hendekut të Aftësive Dixhitale\": U prezantua nga British Council me synimin për të eleminuar njëherë e mirë pengesat që gjenden mes sektorit të edukimit dhe botës së biznesit në Ballkanin Perendimor përfshi Shqipërinë.
\"Më pyesni a ka bërë Shqipëria përparësi në teknologji? Në të vërtetë keni shumë për të bërë, të gjithë kanë shumë për të bërë jo vetëm Shqipëria. Si po transformohet edukimit?
\"Duke i dhënë një fëmije një tablet ku mund të kryejë detyrat shkollore me më lehtësi? Jo, transformimi i edukimit do të thotë të ndryshoh mënyrën sesi bota funksionon. 65% e studentëve në të ardhmen do të bëjnë punë që sot nuk ekzistojnë.\"
\"Si do të kërkojnë një punë inekzistente? Për këtë duhet të edukojmë fëmijët në një mënyrë tjetër,\" u shpreh Menaxheri për 15 Shtete të Europës Qëndrore dhe Lindore pranë Microsoft, Michael Kogeler.
Misioni i Microsoft është ti mundësojë çdo individi dhe çdo organizate në planet të arrijë më shumë dhe studentët janë në zemër të këtij misioni.
Fokusi i Microsoft në edukimin teknologjik është një nismë në zhvillim për tu dhënë mësuesve dhe studentëve mundësinë e përdorimit të teknologjive moderne në kurrikulat tradicionale dhe për të ndihmuar gjeneratat e reja të jenë më kompetitivë në tregun e punës.