26 Dhjetor 2024

Komuna e Prishtinës bën përurimin e vetëshërbimit digjital

Prishtinë, 11 qershor - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Administratës Komunale, Muhedin Nushi sot ka prezantuar shërbimin më të ri digjital përmes së cilit qytetarët do të mund në mënyrë automatike t’i nxjerrin certifikatat, ekstraket dhe shërbime të gjendjes civile.

“Sot fillojmë një shërbim të ri, i pari i këtij lloji në Ballkan. Ky është vetëshërbimi digjital për certifikatat, ekstraktet apo shërbimet e gjendjes civile. Ky shërbim do të jetë në dispozicion 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe qytetarët të cilët janë të regjistruar në regjistrin civil, si dhe kanë nxjerrë edhe më parë një ekstrakt, në çfarëdo kohe përmes një procesi tejet të thjeshtë, me letërnjoftimin e tyre mund ta shtypin ekstraktin e në të ardhmen edhe certifikata të tjera”, tha kryetari Ahmeti.

Ai tha se pagesa për këto shërbime do të jetë e njëjtë, ndërsa janë mundësuar edhe dy portale të tjera përmes së cilave mund të shtypen formularët e cilësdo drejtori që iu nevojitet qytetarëve lidhur me shërbimet të cilat i ofron Komuna e Prishtinës. Gjithashtu, këto formularë mund të plotësohen në këtë vetëshërbimin digjital dhe të dërgohen përmes postës elektronike në adresën e Qendrës për Shërbime me Qytetarë.

Drejtori Muhedin Nushi tha se të gjitha kompanitë që kanë qenë të angazhuara për funksionalizimin e këtij projekti kanë qenë kompani vendore.

“Me këtë projekt fillon një vizion i ri në ngritjen e kapaciteteve në ofrimin e shërbimeve për qytetarë. Duke pasur parasysh se monitorimi i këtij projekti do të bëhet deri në fund të këtij viti, planifikojmë që prej vitit të ardhshëm këto pika të vetëshërbimeve digjitale t’i vendosim nëpër Bashkësi Lokale por edhe nëpër pika kyçe ku ka lëvizje të shumta të qytetarëve”, tha Nushi.

Ky projekt u realizua edhe në saje të bashkëpunimit me Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC), e cila e ka mundësuar qasjen në regjistrin civil. Të pranishëm ishin edhe Lulëzim Ejupi, Kryeshef i Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), Artan Dreshaj, drejtor i IT – së në ARC dhe Blerim Camaj, drejtor i Regjistrimit Civil.

Gjithashtu, sot u demonstrua edhe se si funksionon vetëshërbimi digjital. Fillimisht vendoset letërnjoftimi në skanerin e makinës. Kjo komandë menjëherë përcillet përmes programit në serverin e regjistrit civil dhe në bazë të numrit të letërnjoftimit tërhiqet informata për qytetarin si dhe automatikisht lëshohen dokumentet që kërkohen si shërbim.

Ky vetëshërbim digjital do t’i ketë tre komponentë:
1. E – Kioska (aparati i cili mundëson nxjerrjen e ekstraktit të lindjes për përdorim intern)
2. Mundësia e shtypjes së formularëve nga cilado drejtori e Komunës së Prishtinës
3. Dërgimi i formularëve të plotësuar drejtpërsëdrejti në mënyrë automatike në Qendrën për Shërbime me Qytetarë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)