Kompania Apple dhe hamendjet për të ardhmen e saj
SHBA, 20 janar - Aksionet e gjigandit të teknologjisë, Apple pritet të rriten përsëri pas raportimit të fitimeve për tremujorin e fundit nga kompania, të cilat ishin më të mëdha se sa parashikohej.
Aksionet e kompanisë ranë deri në 10 përqind të hënën në Evropë kur themeluesi i firmës Apple, Stiv Xhobs njoftoi se do të merrte një tjetër leje për arsye shëndetësore.
Xhobs, i cili është 55 vjeç, vuan nga kanceri në pankreas dhe në vitin 2009 bëri një transplantim të mëlçisë. Megjithëse shumë njerëz janë të shqetësuar për të ardhmen e kompanisë pa udhëheqësin e saj legjendar, analistët thonë se e ardhmja e afërt e firmës Apple duket e shëndoshë.
Disa thonë se Apple nuk do të jetë më Apple pa Stiv Xhobsin. Prandaj nuk ishte çudi që aksionet e kompanisë ranë të hënën, kur njeriu i cili ndërtoi kompjuterat e parë Apple në garazhin e shtëpisë në vitin 1976 dhe më pas i dha botës iPod-in, the iPhone-in dhe iPad-in papritur njoftoi se do të merrte përsëri leje për arsye shëndetësore.
Gazetari i Nju Jork Tajmsit, Nik Bilton, thotë se ky lajm i kapi shumë njerëz në befasi.
\"Ky lajm erdhi krejt papritur, askush nuk e di se si është puna, se sa do të zgjatë leja e tij shëndetësore.Ishte një e papritur e madhe.\"
I njohur për ruajtjen e sekretit, Xhobs i ka mbijetuar kancerit të pankreasit dhe ka bërë një transplantim mëlçie në vitin 2009, pas njoftimit se problemet e tij kishin të bënin me një çbalancim hormonal.
Megjithë tronditjen që shkaktoi lajmi të hënën dhe që e bëri firmën Apple të humbasë 20 miliard dollarë nga vlera e saj në treg, analistët thonë se aksionet e saj pritet të rriten përsëri pas njoftimit të fitimeve që ishin më të mëdha se sa parashikohej.
Mbrëmë kompania raportoi një rritje prej 71 përqind në të ardhurat e saj për tremujorin e fundit.
Çka do të thotë se njerëzit blenë më tepër iPhonë dhe iPadë se sa prejtej nga analistët.
Por Kera Suisher e gazetës Wall Street Journal e ve në pikëpyetje të ardhmen afatgjatë të kompanisë pa themeluesin e saj të shquar.
\"Askush nuk e zëvendëson dot Stiv Xhobsin. Është vështirë të gjesh një tjetër si ai.\"
Megjithëse Apple raportoi fitime neto prej 27 miliard dollarësh në tremujorin e fundit, analisti i bankës gjermane, Oliver Roth thotë se e ardhmja e kompanisë është e lidhur ngushtë me kreun e saj.
\"Stiv Xhobs është zemra dhe truri i firmës Apple dhe, përsa kohë që askush nuk e di se sa kohë ai do të qendrojë me leje shëndetësore, hamendjet do të vazhdojnë dhe aksionet do të jenë nën trysni.\"
Bazuar mbi të dhënat e fundit, analistët thonë se kompania Apple pritet që gjatë këtij viti të shesë 17 milion iPodë, 15 milion iPhonë dhe 6 milionë iPadë, me ose pa Stiv Xhobsin.