Kina heton Microsoft-in
Pekin, 29 korrik - Gjiganti amerikan i softuerit, Microsoft, bëri të ditur se kompania është hetuar nga zyrtarët e Administratës Shtetërore të Kinës për Industri dhe Tregti.
\"The Beijing News\" raportoi se Microsoft China ka konfirmuar se hetimi ka lidhje me çështjet anti-monopol.
Zyrtarët nga Administrata Shtetërore e Kinës për Industri dhe Tregti kanë vizituar të hënën zyrat e Microsoft-it në Pekin, Shangai, Guangzhou dhe Chengdu.
Në maj, Kina ndaloi zyrat e qeverisë qendrore nga instalimi i sistemit Windows 8 në kompjuterët e tyre.
Në atë kohë, kjo masë kishte për qëllim garantimin e sigurisë kompjuterike pasi Microsoft nuk ofroi më mbështetje teknike për sistemin e tij operativ Windows XP, sistem ky i përdorur gjerësisht në Kinë.