Kamera e iPhone 6, më e mira në histori të telefonave
New York, 29 shtator - iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus kanë thyer rekorde për sa i përket shitjeve, dhe tani ata ndeshen me një vlerësim të ri.
Specialistët e kamerave të laboratorit DxO i kanë vlerësuar kamerat e këtyre dy telefonave të rinj inteligjentë si kamerat më të mira sot për sot në treg dhe më të mirat në historinë e telefonave.
Duke përdorur një kombinim të disa testeve, ekspertët iu kanë dhënë të dy versioneve të iPhone-ve pikët më të larta në histori, 82 pikë.
Pas iPhone-ve renditen në listë Samsung Galaxy S5 dhe Sony Xperia Z3 me nga 79 pikë, ndërsa iPhone 4 është vlerësuar me vetëm 50 pikë.
Triumfi i Phone 6 dhe 6 Plus mbi Sony Xperia Z3 tregon se kualiteti i imazhit nuk varet vetëm nga numri i megapikselave që ka një kamerë. Ndërkohë që dy variantet e iPhone 6 vijnë me një kamerë 8 megapiksel, kamera e Sony Xperia Z3 është 20.7 megapiksel.
Gjatë krahasimit të dy iPhone-ve ekspertët vunë re ndryshime të vogla mes tyre. Ata morën më shumë pikë për sa i përket autofokusimit, fotove në ndriçim të ulët dhe të lartë, dhe perfomancës së mirë të blicit, ndër të tjera.
Dhe, gjatë testimit të videos kamerat ja dolën më së miri, duke vërtetuar se ishin të shpejta e të sakta. Megjithëse janë kamera shumë të mira, ato nuk u cilësuan si perfekte. Të dy telefonat shfaqën mjegulli dhe paqartësi në disa foto, në kushte të veçanta.