Japoneze krijojnë teknologji për porositjen e ushqimit pa kamarier
Tokio, 27 qershor - Dy kompani japoneze kanë gjetur një mënyrë të re për ta lehtësuar porositjen e ushqimit në restorant. Kjo bëhet e mundur me një aplikacion që lidhet me një mbulesë tavoline të teknologjisë lartë. Mbulesa e gjen vetë se ku ndodhet klienti.
Kompanitë thonë se pajisja e re do të revolucionarizojë shërbimin në restorante. Porositja e ushqimeve me një aplikacion në celular, mund të mos duket një ide fare e re, por kur e lidh me një mbulesë tavoline të zgjuar dhe e porosit ushqimin vetë, ke të bësh me një gjetje krejt të veçantë.
Një tabletë ose telefoni komunikon me pajisjen në tavolinë që quhet Dritë prej Letre, e merr porosinë, identifikon vendin e klientit dhe shtyp listën e porosive, pa pasur nevojë që askush të shkojë tek tavolina.
Ajo përdor një teknologji të quajtur TagCast, të krijuar nga kompanitë Teijin and TagCast. Zakonisht, një sinjal përhapet në tre përmasa, por Teijin krijoi një shtresë të hollë, të quajtur Cell-Form, që ndodhet brenda Dritës prej Letre. Kjo bën të mundur që sinjali të qëndrojë vetëm mbi shtresën e hollë, që mund të ketë çdo formë.
TagCast krijoi dritën, që tani e bashkuar me Cell-Form quhet Drita prej Letre. U deshën gjashtë muaj që të krijohej ky produkt.
Menaxheri i Përgjithshëm i Zhvillimit të Biznesit për kompaninë, Teijin, Yoshiaki Hirano, thotë se megjithëse tani për tani teknologjia po përdoret vetëm në restorante, në të ardhmen mund të ketë edhe përdorime të tjera:
\"Për shembull, shtresa e hollë mund të përdoret për të diktuar automatikisht, nëse diçka është vendosur mbi të. Ose për të kufizuar sinjalin Wi-Fi vetëm në sipërfaqen e saj, pra që vetëm telefona ose tableta që janë të vendosura mbi shtresë të lidhen me sinjalin e internetit. Kjo mund të jetë e dobishme për masa sigurie të nivelit të lartë, thotë Yoshiaki Hirano.
Ai shton se një përdorim i mundshëm është kombinimi i Cell Form me targa elektronike që mund të ngjiten në kuti. Kjo mund të ndihmojë menaxherin të dijë me saktësi se cilat produkte janë në rafte, në çdo kohë, duke ndihmuar në saktësinë e magazinimit.
Kjo është e mundur pasi lartësia ku mund të arrijë sinjali është e kontrollueshme. Po ashtu, pajisja mund të përdoret për të garantuar siguri të lartë, duke lejuar vetëm disa persona të hapin dokumenta konfidenciale, pasi ata identifikohen duke vendosur celularin mbi shtresën elektronike.
Drejtori ekzekutiv i TagCast, Akatsuki Torii duke menduar me largpamësi për Lojrat Olimpike të vitit 2020 në Tokio, thotë se teknologjia mund të eliminojë pengesën e gjuhës:
\"Gjithkush nga çdo vend i botës, mund të porosisë ushqim në gjuhën e vet, thjesht duke vendosur një telefon ose tabletë mbi tavolinë. Personeli japonez e merr porosinë në japonisht dhe e plotëson atë. Ne mendojmë se kjo është e veçantë dhe përdorimi fillestar në restorante, është një mënyrë shumë e mirë.
Jo të gjitha tryezat në restorantin Frame Cafe, i pari në botë që e ofron këtë teknologji, janë të pajisura me Dritën prej Letre dhe paisja nuk është bërë pjesë e tryezës vetë.
Pasi bën një porosi, klienti ka 25 sekonda ta anulojë atë.
Nëpër tavolina ka udhëzime për përdorimin e pajisjes, të cilat deri tani janë përkthyer në tre gjuhë të ndryshme.