Irani bllokon rrjetet sociale, Instagram dhe Telegram
Teheran, 2 janar - Irani bllokoi dje qasjen në aplikacionin e mesazheve Telegram dhe atë të fotografive Instagram, ndërsa mediat shtetërore njoftuan se ky veprim synonte ruajtjen e paqes.
Iranianët po i përdornin këto aplikacione për të komunikuar në lidhje me demonstratat në rrugë që janë bërë shprehja më e madhe e pakënaqësisë publike ndaj udhëheqësve klerikë të Iranit.
Protestat e fundit të mëdha ishin zhvilluar në vitin 2009 kundër rezultateve të zgjedhjeve të debatueshme presidenciale.
Administrata Trump thotë se është shumë e shqetësuar që Teherani bllokoi komunikimin e iranianëve nëpërmjet platformave të mediave sociale, pas katër ditë protestash anti-qeveritare në mbarë vendin.
Michael Anton, Zv.Ndihmës i Presidentit për Komunikimin Strategjik, i tha shërbimit në gjuhën perse të Zërit të Amerikës se ka shumë pak gjëra që Uashingtoni mund të bëjë si reagim ndaj bllokimit të mediave sociale nga Irani.
Megjithatë, ai tha se administrata Trump pret nga kompanitë amerikane dhe ato perëndimore që “të mos dorëzohen përballë kërkesave për censurë apo ndalim të informacionit, por të vazhdojnë punën e tyre si gjithnjë, duke lejuar rrjedhjen e lirë të informacionit drejt Iranit”. Zoti Anton shtoi se zyrtarët amerikanë po vëzhgojnë se si këto kompani do ta menaxhojnë situatën.