iPhone 7 me 3GB RAM memorie
New York, 6 gusht - Apple po përgatitet të hedhë në treg produktin e saj më të ri objektin më të nxehtë të botës së smartfonëve, iPhone 7, më i avancuari i serive të përdorura deri tani e që po pritet me padurim.
Askush nuk e di me saktësi se çfarë do ti prezantojë Apple publikut në javën e parë të shtatorit, por sipas faqeve të specializuara të teknologjisë, telefoni i ri iPhone do të ketë 3GB RAM memorie, ndryshe nga herët e kaluara kur ishte 2GB.
Më herët u njoftua se smartfoni i ri do të vijë i fuqizuar edhe nga një chip i gjeneratës së ardhshme të Apple-it, me një procesor më të shpejtë dhe kamera dy lentëshe 8 Megapixel iSight, që ofron përparësi të mëdha, sidomos në realizimin e fotografive edhe në dritë të dobët.
Përmasat do të jenë 67.12 me 138.3 mm, trashësia do të jetë më e vogël se iPhone 6, ndërsa bateria do të jetë 14 përqind më e fuqishme se ato të aparateve të mëparshme.