iPhone 6 me dizajn të veçantë
New York, 31 mars - Nëse merren si të vërteta, imazhet e reja të publikuara në rrjetin francez nowhereelse.fr, tregojnë se pajisja e njohur si iPhone Air do të jetë vërtet e paraqitshme.
Imazhet tregojnë një dizajn më të hollë dhe të rrumbullakët, që na kujton HTC-në. Ndoshta, siç duket, ekrani i telefonit do të arrijë në përmasat e trupit të tij.
Imazhet janë të ngjashme me ato të gjetura në Mac Rumors, megjithatë telefoni i ri nuk është prezantuar ende.
Vështirë të themi çfarë ndryshimesh të tjera do të bëhen në modelin e fundit, ose nëse këto imazhe janë të sakta, por një tjetër dizajn i konceptuar së fundmi nga një krijues britanik parashikon sesi do të duket iPhone-i i radhës.
Po ashtu, ai parashikon një iPhone 6 më të hollë me një ekran 4.7 inç. Ai do të jetë më i madh sesa ekrani prej 4 inç në modelet e mëparshme.
Megjithatë kjo duket kontradiktore me thashethemet e fundit nga Business Insider dhe Barron, të cilat raportuan krijimin e dy iPhone-ve të rinj, njëri me një ekran 4.7 inç dhe tjetri me 5.5 inç.