iPhone 5 me dizajn të njëjtë, por ekrani më të madh
SHBA, 6 maj - Shumë nga ata të cilët e përcjellin 'Apple' e kanë të njohur se bëhet fjalë për një kompani e cila i mban të fshehta detajet për produktet e saj të reja, kështu që nuk të çudit fakti që interneti është i mbushur me thashetheme dhe spekulime për atë se çka është duke u përgatitur.
Ndoshta pikërisht me strategjinë e këtillë Apple arrin të ndezë interesimin jashtëzakonisht të madh për secilin produkt që e paralajmëron, duke filluar nga iPhone, nëpër gjeneratën e re të kompjuterit MacBook Pro e deri tek i lansuari kohë më parë iPad2.
Spekulimet e fundit të cilat i publikoi ueb-faqja me emrin indikativ MacRumors pohojnë se versioni i ardhshëm i iPhone-t nuk do të ridizajnohet radikalisht. Përndryshe, MacRumors arriti te dizajni inxhinierik i kallupit nga iDealsChina i cili sugjeron në atë se iPhone 5 do të duket ngjashëm sikur edhe iPhone 4, përveç që do ta ketë ekranin më të madh që do të shtrihet deri te skajet e telefonit dhe do ta ketë kornizën dukshëm më të hollë se paraardhësi.
Edhe pse iDealsChina nuk gëzon ndonjë reputacion edhe aq të madh si burim i lajmeve të tipit të këtillë, Arnold Kim në faqen MacRumors pohon se deri më tani ata gjithmonë ia kanë qëlluar kur kanë shkruar për dizajnin e produkteve të reja të Apple-s.
Prodhuesit kinezë shpesh dalin të parët me vizatimet e para të dizajnëve të produkteve të reja të kompanisë Apple-s dhe kështu, për shembull, ka qenë edhe me versionet e hershme, përkatësisht me vizatimet dhe skicimet se si do të duket iPad 2.
Para këtij spekulimi në internet kohë më parë doli edhe një, ndërsa ai thoshte se iPhone 5 do të ngjajë më shumë si iPad 2, vetëm se do të jetë më i vogël. Për çdo rast i kemi edhe disa muaj para se ta shohim edhe zyrtarisht iPhone 5, kështu që pa asnjë dyshim mund të prisni ende thashetheme dhe spekulime tjera.