iPad do të dominojë deri në vitin 2015
New York, 18 prill - Kompania e hulumtimeve të tregut, Gartner, ka deklaruar se iPad do ta dominojë tregun e tabletëve, të paktën edhe për katër vitet e ardhshme, pasi që konsumatorëve iu pëlqen më shumë dizajni dhe aplikacionet e tabletit të Apple-s.
Kompania e kërkimeve gjithashtu ka parashikuar se Apple, e cila muajin e kaluar e lansoi versionin e ri të tabletit, iPad 2, do të mbajë rreth 69% të tregut të tabletëve edhe gjatë këtij viti.
Ndërsa, në vitin 2015, Gartner thotë se Apple prapë do të jetë lider i tregut, por me vetëm 47%.
Google Android, i cili përdoret nga një spektër i madh i kompjuterëve tablet, pritet ta mbajë vendin e dytë, duke e ngritur pjesëmarrjen e saj në treg edhe gjatë viteve të ardhshme.
Për Android parashikohet që pjesëmarrja në treg do të ngritët nga 20 në 39%, deri në vitin 2015.
Gartner thotë se vendin e tretë do ta mbajë kompania Research In Motion, e cila është e njohur me tabletin e saj PlayBook, si dhe telefonat BlackBerry.