ICT Awards: UBT është lider në fushën e ICT dhe të Inovacionit
Tiranë, 18 maj - Ceremonia e dhënies së çmimeve për kontribut në fushën e teknologjisë informative, organizuar nga Albanian ICT Awards në Tiranë, dëshmoi edhe një herë faktin se Universiteti për Biznes dhe Teknologji, duke dominuar në çmime dhe mirënjohje në disa kategori, është lider në fushën e teknologjisë informative dhe të informacionit.
Dhënia e pesë çmimeve për përfaqësuesit e UBT-së në këtë ceremoni, me një pjesëmarrje të gjerë figurash të rëndësishme nga jeta politike dhe nga jeta e shkencës, dëshmoi edhe një herë se UBT, me angazhimin e pandalshëm shumëvjeçar, ia ka dalë të vihet pa asnjë mëdyshje në krye, duke shënuar rezultate të dukshme në fushën e teknologjisë informative dhe të inovacionit.
Të përkujtojmë se rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi u nderua nga Albanian ICT Awards me Çmimin ICT Akademiku i Vitit, një çmim ky prestigjioz, ndërsa, në një konkurrencë shumë të madhe të të nominuarve, shkëlqyen edhe tre studentë të UBT-së, të cilët morën gjithsej katër mirënjohje, duke e ngritur në pesë numrin e përgjithshëm të çmimeve të marra nga UBT në edicionin e tretë të Albanian ICT Awards.
Muhamed Retkoceri me një projekt në fushën e Inteligjencës Artificiale, mori diplomë si i nominuar në kategorinë ICT Diploma e Vitit. Ai gjithashtu u nderua me medalje për kontribute të veçanta për sektorin e ICT në Shqipëri. Ai e mori medaljen për arritjet në NASA Space Apps Challenge me çmimin Peoples Choice Award. Me medalje për kontribut në sektorin e ICT u nderua edhe studenti i UBT-së, Altin Ukshini (Prishtina HackerSpace). Studenti tjetër i UBT-së, Arlind Hajredinaj u nderua me medalje si i nominuar për Çmimin ICT Mobiliteti i Vitit, me aplikacionin AutoShkolla.