Hyn në fuqi ligji për komunikime elektronike

Prishtinë, 27 nëntor - Më 12 Tetor 2012, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar ligjin Për Komunikimet Elektronike Nr.04/L-109, me të cilin shfuqizohet Ligji mbi Telekomunikacionin Nr.2002/7.
Ligji është dekretuar me Dekretin e Presidentit të Republikës Nr. DL-047-2012, datë 25 Tetor 2012, i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare me Nr. 30 të datës 9 Nëntor 2012 dhe ka hyrë në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas publikimit të saj.
Kjo komunikatë ofron një përmbledhje të shkurtër të qëllimeve dhe parimeve kryesore të Ligjit për Komunikime Elektronike, si dhe i njofton të gjithë operatorët e licencuar (autorizuar) të shërbimeve telekomunikuese (komunikimeve elektronike) dhe atyre postare, se me fillim nga data e sotme, 27 Nëntor 2012, Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART) në gjitha shkresat dhe komunikimet zyrtare do të prezantohet si Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe shkurtesën ARKEP.
Konform dispozitave kalimtare deri në nxjerrjen e Statutit të Autoritetit, brenda afateve optimale do të ndryshohen të gjitha elementet vizive, si logoja zyrtare e autoritetit, ueb faqja, etj për çka të gjitha palët e interesit do të njoftohen me kohë dhe në formën adekuate.
Qëllimi i këtij ligji është rregullimi i aktiviteteve të komunikimeve elektronike bazuar në parimin e neutralitetit teknologjik dhe kornizën aktuale rregullatore të BE-së për komunikimet elektronike, duke promovuar konkurrencën dhe infrastrukturën efikase në komunikimet elektronike, si dhe garantimin e shërbimeve të duhura e të përshtatshme në territorin e Republikës së Kosovës.
Parimet bazë për Rregullimin e aktiviteteve të komunikimeve elektronike të promovuar përmes Ligjit janë: menaxhimi dhe përdorimi efektiv i resurseve të kufizuara; neutralitetit teknologjik; ekuivalencës funksionale; proporcionalitetit; rregullimit minimal të domosdoshëm; sigurisë ligjore në një treg dinamik; zhvillimit ekonomik, duke siguruar konkurrencë efektive; mbrojtje të të drejtave të konsumatorit; objektivitet të kritereve, kushteve dhe procedurave rregullatore; transparencë dhe mos-diskriminim.
Disa prej dallimeve thelbësore të Ligjit përveç përafrimit dhe harmonizimit të Ligjit me paketën rregullatore të Bashkimit Evropian të vitit 2009 krahasuar me ligjin tashmë të shfuqizuar janë:
- Kalimi nga regjimi i licencave në atë të autorizimeve si dhe eliminimi i tërësishëm i barrierave hyrëse për ndërmarrësit (ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike) siç janë: tarifat e aplikueshme për licencim, shkurtimi i afateve kohore dhe thjeshtësimi i procedurave për shqyrtimin e notifikimeve (aplikacioneve). Vetëm aktivitetet, të cilat kërkojnë përdorimin e resurseve të kufizuara (frekuencave dhe numeracionit) do të jenë subjekt i autorizimeve individuale;
- Menaxhim më fleksibil dhe të harmonizuar të spektrit frekuencor;
- Analiza e tregjeve dhe përcaktimi i ndërmarrjeve me fuqi të ndjeshme në treg (OFNT) do të bëhet në përputhje me parimet e konkurrencës përmes analizës së tregjeve në mënyrë më të detajuar (pragu prej 25% e ndarjes së tregut tani e tutje nuk do të jetë kriter për përcaktimin e OFNT), aplikimit të masave proporcionale si dhe rregullimit minimal të nevojshëm;
- Mbrojtjen maksimale të të drejtave të konsumatorëve, përmes aplikimit të masave që garantojnë mbrojtje të konkurrencës, informim më të mirë, qasje në internet si e drejtë fondamentale, privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave, si dhe garantimit të sigurisë, besueshmërisë dhe integritetit të rrjetit.
Ligji parasheh që autoritet kompetente, Qeveria dhe Autoriteti duhet të miratojnë të gjithë legjislacionin sekondar që ka të bëjë me menaxhimin e frekuencave, jo më vonë se gjashtë (6) muaj nga data efektive e hyrjes në fuqi të Ligjit, si dhe gjithë legjislacionin sekondar (kornizën rregullatore) brenda periudhës prej dymbëdhjetë (12) muajve nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit.