Hapet panairi i elektronikës IFA 2012

Berlin, 31 gusht - Kush prodhon televizorë, kompjutera tablet apo celularë smartphon s\'ka përse të shqetësohet nga kriza ekonomike.
Në rast të një krize ekonomike gjermanët do të kursenin në udhëtime, në blerje të orendive shtëpiake dhe vizita nëpër restorane por në asnjë mënyrë në blerjen e mjeteve elektronike. Industria po lulëzon dhe kjo vihet re edhe në panairin IFA 2012. Në Berlin janë rezervuar të gjitha sallat e panairit.
Me rezolucion të lartë, tredimensional dhe të ndër-lidhur me njëri-tjetrin si dhe me internet: këto janë televizorët, kompjuterët, telefonat celularë, kamerat dhe pajisjet e sotme elektronike shtëpiake.
Ato mund të shihen në panairin më të madh në botë të tregtisë për elektronikë, IFA, i cili hap të premten (31.08.) dyert e tij në Berlin.
Ndonëse sivjet nuk priten risi revolucionare në fushën e teknikës me atributet \"më të shpejtë, më të mëdhenj dhe me rezolucion më të madh\" kjo fushë e industrisë po arrin të zgjojë papushim dëshirat e reja tek konsumatorët. Kjo veçanërisht vlen për aparatin që më së shpeshti përdoret në familjet gjermane, televizorin.
Më shumë se dhjetë milionë televizorë pritet të shiten sivjet, thotë Michael Schidlack, drejtues i repartit të elektronikës shtëpiake pranë Shoqatës profesionale të pasjisjeve elektronike Bitkom.
\"Ne kemi dy tendenca: E para, njerëzit po përdorin gjithnjë e më shumë televizorë në shtëpi. Ne parashikojmë që mesatarisht çdo shtëpi ka dy televizorë. E dyta, për shkak të funksionalitetit të ri joshja për blerje po bëhet gjithnjë e më e madhe. Njerëzit duan të kenë aparate sa më të mëdha dhe të pajisura më mirë, kjo është gjithashtu një prirje e re, ose funksionet e tilla si 3D.\"
Duket se konsumatorin nuk e pengon aspak fakti, që ende ka asnjë kanal televiziv gjerman që ofron program në formatin tredimensional dhe po ashtu oferta me filma 3D është shumë e kufizuar. Kryesorja, pajisja elektronike është nga të fundit që ka dalë në treg.
Ndërkohë është kthyer pothuajse në pajisje standarde që televizori të ofrojë mundësinë për të komunikuar me pajisje të tjera edhe në internet, pra të jetë siç thuhet ndryshe \"smart\".
Më shumë se gjysma e të gjithë televizorëve të shitur sivjet janë të pajisura me këtë funksion, tendenca është në rritje, sqaron Hans-Joachim Kamp, nënkryetar i shoqatës së pajisjeve elektronike ZVEI.
\"Fjala \"smart\" mund të dëgjohet gjithandej dhe po t\'i marrim së bashku televizorët Smart dhe celularët Smart atëherë ato janë dy kategoritë më të mëdha të produkteve elektronike të cilat së bashku arrijnë një qarkullim prej më shumë se 13 miliardë euro.\"
Në përgjithësi, qarkullimi në industrinë e zbavitjes sivjet do të ngritet në 29 miliardë euro. Pra kemi të bëjmë me një plus prej katër për qind. Edhe pse lufta e çmimeve mbetet e fortë megjithatë mund të thuhet se është ndalur rënia e çmimeve të televizorëve.
Vitin e kaluar thuhej se në vitin 2012 do të kemi një rënie çmimesh prej 13 për qind, gjë që nuk ndodhi thotë Michael Schidlack nga Bitkom.
\"Kjo tendencë nuk do të vazhdojë pafundësisht. Tendenca për pajisje me cilësi më të lartë do të ketë rritje edhe në vitet e ardhshme. Për të ardhmen, ne presim që të kemi televizorë me ekranë edhe më të mëdhenj. Kjo është një prirje që ne vëzhgojmë në të gjitha vendet dhe që kompenson disi problemin e rënies së çmimeve\".
Prodhuesit gjermanë nuk luajnë pothuajse fare rol në tregun e televizorëve. Koreanët dominojnë këtë industri.
Në mbarë botën çdo i treti televizor është i prodhimit Samsung apo LG. Tani në panairin IFA ata duan të tregojnë ekrane që punojnë me dioda ndriçuese organike të njohura ndryshe si Oleds.
Ato ofrojnë ngjyra intenzive dhe kontraste të mprehta. Televizorët e parë do të vendosen në dyqanet gjermane qysh gjatë këtij viti, më së largu në prag të krishtlindjeve. Kjo është koha më e rëndësishme për industrinë argëtuese.