Hapet edicioni i 5-të mbarëkombëtar i shpërblimeve në teknologji
Tiranë, 27 janar - Me kandidatë që vinë nga Tirana, Prishtina, Shkodra, Tetova, Durrësi, Gjakova e mbarë trevat shqipfolëse, kjo garë mbarëkombëtare prej 5 vitesh ka vlerësuar mbi 500 projekte të ndryshme individuale apo institucionale duke tërhequr vëmendjen e aktorëve shqiptarë të rëndësishëm.
Duke filluar nga dita e sotme deri më 31 Mars të gjithë të apasionuarit, studentët, akademikët, institucionet publike dhe inovatorët mund të aplikojnë online në faqen e Albanian ICT Awards.
Aktivitetit dedikuar kësaj ngjarje ju bashkuan personazhe dhe figura të rëndësishme nga bota e teknologjisë, biznesit, akademisë, administratës publike, medias si: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, Dekani i Fakultetit të Shkencave Natyrore z. Spiro Drushku, Drejtori i AITA Dritan Mezini, zv Rektori i Universitetit të New York në Tiranë Kostas Giakumis, Drejtori i AUK në Kosovë Enis Vehapi dhe Përfaqësuesi i Parkut Teknologjik në Universitetin e Europës Juglindore Visar Demiri.
Me mbështetjen tradicionale të Fondacionit Dritan Hoxha, Bankës Raiffeisen, Albvision, Microsoft, UNYT, AUK, SEU Tetovo, ky eveniment unik çdo vit ka për qëllim identifikimin dhe shpërblimin e inovatorëve, profesionistëve, akademikëve, entuziastëve dhe udhëheqësve të suksesshëm.
\"Jemi dëshmitar të frike se revolucioni i 4-tërt industrial do të rrisë papunësinë. ICT Awards është në mesin tonë për të thënë se kjo nuk ka për të ndodhur. Kemi arritur të ngjallim frymën e garës në teknologji dhe kemi bërë përpjekje për promovimin e femrave në sektorin e IT-së. Kandidatët tanë nuk janë vetëm heronj të ICT Awards por edhe të kohëve moderne,\" u shpreh bashkëorganizatori Kushtrim Shala në fjalën e tij hapëse të aktivitetit.
\"Nuk ndodh që evenimentet të tilla të kenë jetë të gjatë në Shqipëri. Mund të them se ICT Awards është në një maratonë. Dixhitalizimi i ka kursyer buxhetit të shtetit miliona Euro. Këtë vit, për të tretin me radhë, do të aplikojmë me projekt tjetër atë të pagesës së parkingjeve të cilat do të bëhen përmes një aplikacioni celular duke filluar nga muaji Shkurt,\" tha z. Veliaj i pranishëm në sallë.
Veliaj tha se përveç inkurajimit që jep ICT Awards ekziston një hendek i madh, mungesa elementit të financimit afatgjatë të startupeve. \"Është për të ardhur keq se shumë prej startupeve apo iniciativave në vendin tonë bëjnë sukses jashtë Shqipërisë,\" vijoi ai.
Juria e Albanian ICT Awards e përbërë nga personalitetet më të spikatura të sektorit të teknologjisë së informacionit në Shqipëri dhe Kosovë u përfaqësua në këtë aktivitet nga Altin Petre i cili u shpreh me fjalët:
\"Kam patur nderin të jem pjesë e ICT Awards prej tre vitesh me mundësi për të takuar të rinj, të apasionuar dhe profesionistë. Ajo që dua tu them të interesuarve është që ta përdorin ICT Awards si një platformë ku mund të masin aftësitë e tyre dhe për të tërhequr vëmendjen e bizneseve pse jo edhe qeverivë drejt zhvillimit të ideve të tyre. E them me plot bindje se është eventi më i rëndësishëm për të zbuluar ekselencën në IT.\"
Ajo funksionon në mënyrë të pavarur dhe e bazuar në mënyrë strikte në rregullat e dhe kriteret e vlerësimit të vendosura me profesionalizëm të lartë të cilat kanë në fokus vlerat më të spikatura të sektorit të IT-së, komunikimit, biznesit dhe të shoqërisë.
Krahas shtatë kategorive tradicionale Innovation of the Year, Mobility of the Year, Diploma of the Year, Rising Star of the Year, Public Service of the Year, Academic of the Year dhe Women in ICT, ky edicion sjell çmimin e ri Cyber Security of the Year.
Ardian Alaj, koordinator i ICT Awards për Kosovën dhe Maqedoninë, tha se ky çmim do të shpërblejë profesionistët e rrjetit, IT, bazave të të dhënave dhe aplikacionet që kanë dhënë kontribut në rritjen e nivelit të sigurisë. Kjo kategori përbëhet nga tre nën kategori të tjera: Profesional, Company, Team.
Këtij aktiviteti iu bashkëngjiten disa prej historive të suksesit në edicionin e kaluar si Baboon, Dentem, jCoders dhe Formon ku njëzërit ata vunë theksin tek fjalët e z. Veliaj në lidhje me investimet e munguara në drejtim të startupeve.
Të gjitha ata që duan të bëhen pjesë e Albanian ICT Awards me kontributin e tyre do të kenë në dispozicion një formular online.
Një trashëgimi e një shpirti të madh por një vendi të vogël, Albanian ICT Awards është shndërruar në një ndër evenimentet më dashura për komunitetin ICT në çdo trevë shqipfolëse. Prej vitesh ky eveniment ka qenë porta e suksesit për fitues e kandidatë të cilët shkruajnë çdo vit historinë e Albanian ICT Awards. (ICTSmedia)