Hakerët e sponsorizuar nga Rusia shënjestrojnë dhjetëra rrjete të shtetit amerikan
New York, 23 tetor - Hakerët e sponsorizuar nga shteti rus kanë pasur në shënjestër dhjetëra rrjete të shtetit amerikan dhe të qeverive lokale në javët e fundit dhe kanë vjedhur të dhëna nga së paku dy serverë, tha Qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe e Infrastrukturës thanë se aktivitetet e hakerëve të mbështetur nga Rusia, datojnë së paku nga fundi i shtatorit.
Agjencitë thanë se, deri më sot, nuk ka asnjë tregues se hakerët kanë çrregulluar aviacionin, arsimin, zgjedhjet apo operacionet qeveritare.
“Megjithatë, aktori mund të përpiqet të sigurojë qasje në opsione të ardhshme, për të ndikuar në politikat dhe veprimet e SHBA-së, ose për të delegjitimuar” shtetet dhe qeveritë lokale, thanë agjencitë.
Ato nuk përmendën se kush ose çfarë është vënë në shënjestër, por vetëm thanë se fushata ishte kundër “një shumëllojshmërie të gjerë të shënjestrave në SHBA”.
Sipas dy agjencive, hakerët, e identifikuar si Berserk Bear, Energetic Bear, Dragonfly e tjerë, kanë komprometuar me sukses infrastrukturën e rrjetit dhe kanë vjedhur të dhëna nga së paku dy serverë.
Paralajmërimi vjen më pak se dy javë para zgjedhjeve të 3 nëntorit në SHBA.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë më herët se Rusia, e cila ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 në favor të zgjedhjes së Donald Trumpit president, po përpiqet të ndërhyjë sërish në zgjedhje.
Rusia i ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet në SHBA.