Hakerat sulmojnë kompjuterat e Microsoft
New York, 23 shkurt - Microsoft është bërë kompania e fundit teknologjike e Shteteve të Bashkuara që konfirmon se është sulmuar nga piratët informatikë.
Në një mesazh të postuar online, Microsoft njofton se një numër i vogël i kompjuterëve të saj janë infektuar së fundmi me një software malinj.
Kompania tha se nuk ka gjetur prova për depërtime në të dhënat e përdoruesve, por nënvizoi se po kryhet një hetim.
Ditën e martë ishte kompania Apple që deklaroi se kompjuterët e saj ishin sulmuar nga të njëjtët hakersa që një javë më herët kishin sulmuar Facebook-un.
Atë ditë, rrjeti social tha se kishte gjurmuar një sulm elektronik me bazë në Kinë, që ishte infiltruar në laptop-ët e punonjësve të tij.
Në mesazhin e së premtes, zëdhënësi i Microsoft Matt Thomlinson deklaroi: Këto lloj sulmesh nuk janë të papritura për Microsoft dhe kompani të tjera që duhet të përballen vazhdimisht me kundërshtarë të vendosur.