Hakerat rusë futen në sistemin kompjuterik të Shtëpisë së Bardhë
Washington, 8 prill - Hakerat rusë kanë arritur të futen në sistemin kompjuterik të Shtëpisë së Bardhë dhe kanë marrë informacione të rëndësishme, duke përfshirë edhe detaje nga plani i Presidentit Obama, thuhet në një raport të publikuar ditën e martë.
Autorët e këtij sulmi besohet të jenë të njëjtit që depërtuan edhe në rrjetin kompjuterik të Departamentit të Shtetit në muajt e fundit, raporton CNN.
FBI, agjencitë e Inteligjencës dhe Shërbimet Sekrete amerikane janë përfshirë të gjitha në hetimin e kësaj shkelje, të cilën ata e konsiderojnë si një ndër sulmet më të sofistikuara të ndërmarra ndonjëherë kundër objektivave amerikane.
Ndërkohë, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se hakerat kanë arritur të depërtojnë vetëm në dokumente të paklasifikuara, duke përgënjeshtruar seriozitetin e ndërhyrjes.
Drejtori i Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, James Clapper, në një fjalim para Senatit në lidhje me sulmet kibernetike në muajin shkurt, paralajmëroi zyrtarët dhe kompanitë private se një seri sulmesh të vazhdueshme parashikohet të ndodhin në periudha të ndryshme dhe nga burime të shumëllojshme.
Clapper theksoi rastin e Rusisë, për të cilën ai tha se tashmë përbën një rrezik më të madh kibernetik ndaj interesave të SHBA. Ai tha se kërcënimi nga qeveria ruse është më i rëndë nga sa ishte menduar më parë.
Gjatë vitit të kaluar ka pasur një seri sulmeve kibernetike të profilit të lartë kundër objektivave amerikane. Koreja e Veriut u akuzua se qendronte prapa sulmit ndaj Sony Pictures në muajin nëntor të vitit të kaluar.